Shqipëria, Kosova dhe Britania e Madhe po intensifikojnë përpjekjet për të luftuar emigracionin e paligjshëm dhe krimin e organizuar nëpërmjet një deklaratë bashkëpunimi të nënshkruar gjatë Ministerialit të zhvilluar në Tiranë.

Sipas ministrave, ky  bashkëpunim do të ndihmojë në çmontimin e grupeve kriminale që lehtësojnë kalimet e paligjshme të kufirit duke shfrytëzuar migrantët dhe refugjatët vulnerabël.

Gjatë fjalës së tij në Ministerial, Ministri i Brendshëm Taulant Balla se gjatë këtij viti është vërejtur një ulje e përgjithshme e rasteve të aktiviteteve të paligjshme në krahasim me të njëjtën periudhë gjatë vitit 2023.

Taulant Balla, Ministër i Brendshëm: Vetëm në periudhën katër mujore të këtij fillim viti kemi vërejtur një ulje të përgjithshme të rasteve të aktiviteteve të paligjshme krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2023 dhe me të gjitha masat e ndërmarra, çështja e emigrimit të parregullt mes Ballkanit Perëndimor mbetet një sfidë e vazhdueshme nga të gjitha shtetet tona që duhet adresuar.

Ministri Balla tha se Shqipëria po kthehet edhe në një destinacion të rëndësishëm turistik ndaj duhet dhe një angazhim edhe më i madh për ruajtjen e sigurisë.

Taulant Balla, Ministër i Brendshëm: Mbarëvajtja e një sezoni turistik të qetë, të sigurt për çdo vizitor që zgjedh Shqipërinë të pushojë është për ne një prej detyrave kryesore. Dhe në këtë kontekst roli i autoriteteve të zbatimit të ligjit e institucioneve të tjera përgjegjëse për sigurinë dhe rendin publik është jetik.

Balla tha se nëse ka një çështje të veçantë, ku ne të gjithë mund dhe do të bashkëpunojmë ngushtë, është menaxhimi i flukseve migratore.

Klan News