Në mbledhjen e 17 Dhjetorit Këshilli i Bashkimit Evropian do të vlerësojë progresin e vazhdueshëm të reformave në Shqipëri.

Këtë do ta konfirmojnë ministrat përgjegjës për çështjet evropiane përmes konkluzioneve që do të miratojnë për vendin tonë.

Nëpërmjet konkluzioneve të tij, Këshilli i BE-së do të vlerësojë vendin tonë për përmbushjen e kritereve të gjyqësorit nga kapitujt 23 dhe 24 për sundimin e ligjit. Shqipërisë i kërkohet që të përmirësojë historikun e tij në hetimet, duke vijuar me ndjekjet penale për zyrtarët e nivelit të lartë politik , dënimet përfundimtare dhe sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve kriminale, përfshirë ato të nivelit të lartë.

Vendi ynë është në proces të hapjes një ditë më vonë me 18 Dhjetor në konferencën e tretë ndërqeveritare të kapitujve të tjerë të negociatave. Bëhet fjalë për grup kapitullin për politikën e jashtme. Ky pritet të jetë grup kapitulli që do të mbyllet me shpejt në negociata pasi Shqipëria e ka njësuar plotësisht politikën e jashtme me atë të BE-së sidomos në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë pas agresionit ndaj Ukrainës.

Kabineti Rama ka ambicien që procesi i negociatave të përfundojë deri në fund të vitit 2027, në mënyrë që deri në fund të kësaj dekade Shqipëria të bëhet anëtar me të drejta të plota i BE-së.

Në mbledhjen e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së, më 17 Dhjetor, ministrat përgjegjës për çështjet evropiane do të miratojnë një paketë konkluzionesh edhe për vendet që janë në proces të zgjerimit. Këto konkluzione më pas do të konfirmohen nga Këshilli Evropian, pra liderët e shteteve dhe qeverive të BE-së, në samitin që do të mbahet më 19 Dhjetor.

Përmes këtyre konkluzioneve, Këshilli i BE-së do të mirëpresë përparimin e mirë dhe do të inkurajojë vendin tonë që të vazhdojë me përpjekjet për reforma, veçanërisht në fushat kyçe si liria e shprehjes dhe media, duke përfshirë mbrojtjen e gazetarëve dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe publikut, reformat e administratës publike.

Klan News