Shqipëria shënoi një tjetër moment historik në procesin e integrimit europian, çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian për grup-kapitullin e parë pas mbajtjes së Konferencës së Dytë Ndërqeveritare në Luksemburg.
Ky grup-kapitull përmban çështjet themelore dhe më të rëndësishme të negociatave si sistemi i drejtësise, organizimi i gjyqësorit, funksionimi i institucioneve demokratike, reforma e administratës publike, prokurimi publik, statistikat dhe kontrolli financiar.
Kryeministri Rama e shfaqi entuziazmin e tij që në hyrje të godinës ku do të zhvillohej Konferenca e Dytë Ndërqeveritare.
Ky proces do ndikojë në jetën e qytetarëve të thjeshtë. Negociatat e anëtarësimit i ofrojnë vendit standardet, parimet dhe vlerat e Bashkimit Europian.
Ata do të kenë mundësi për të lëvizur drejt shteteve anëtare për çështje pune. Po ashtu kjo do të ndikojë pozitivisht tek shumë prej atyre që janë larguar nga vendi. Duke patur të njëjtat kushte në Shqipëri ata do të rikthehen duke investuar apo duke u punësuar në vendlindje ku ende kostot e investimit në biznes dhe ato te krahut të punës, janë shumë të lira në raport me vendet e tjera të Bashkimit Europian.
Edhe ritmet e largimit të trurit me ecurinë e negociatave do të ulen. Pritet që një qytetar shqiptar të gëzojë të drejtat e një qytetari europian, gjë që do të bëjë që ekspertët më të nderuar apo profesionistët mos të lëvizin nga Shqipëria, se tanimë çdo lloj ekspertize apo shërbimi mund ta ofrojnë nga vendlindja drejt tregut europian.
Sipas eksperiencës së mëparshme, vendet që janë anëtarësuar në BE kanë njohur një ndryshim të ndjeshëm gjatë procesit të negociatave dhe një bum ekonomik në dhjetëvjeçarin e parë të anëtarësimit.
Me nisjen e bisedimeve teknike, bëhet gjithnjë më e lehtë dhe më e mundur që qeveria shqiptare të kërkojë fonde të tjera financiare në masë më te madhe se deri tani për projektet e reja të ndërlidhjes me rajonin. Vetëm nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, Shqipëria pritet të përfitojë rreth 1 miliardë Euro.
Kjo vendimarrje e sjell Shqipërinë edhe më pranë BE-së me tregun e përbashkët si dhe programet e tjera të saj. Pritet heqja e pengesave të tregtisë me fokus te fushat ku Shqipëria ka tashmë kapacitete për eksporte të prodhimeve të saj drejt BE-së, por tani edhe më shumë duhet qe të arrijë normat dhe standardet e cilësisë për konsumatorët.
Rriten ndjeshëm fondet e paraanëtarësimit IPA me impakt të konsiderushëm për biznesin dhe investimet. Fokusi këtu shkon te forcimi i ekonomisë lokale me zbatimin e projekteve konkrete, duke forcuar ndërlidhjen e bizneseve.
Negociatat e përgatisin vendin për anëtarësim në BE, proces që shoqërohet me transformimin politik, ekonomik, social të vendit. Metodologjia e re, po zbatohet për herë të parë me Shqipërinë ku hapen disa kapituj menjëherë çka jep mundësine për të çur me ritëm më të shpejtë drejt anëtarësimit të plotë.
Klan News