Më 17 Dhjetor Shqipëria hap një tjetër kapitull të negociatave me Bashkimin Evropian. Lajmi është bërë i ditur nga Presidenca hungareze e Këshillit të Europës. Përmes një postimi në “X”, njoftohet se është dhënë aprovimi për mbajtjen e konferencës së tretë ndërqeveritare me vendin tonë.

“Ambasadorët kanë miratuar gjithashtu qëndrimin e përbashkët të BE-së për grupin 6: Marrëdhëniet e jashtme, duke lejuar që konferenca e tretë ndërqeveritare me Shqipërinë të mbahet më 17 dhjetor. IGC e javës së ardhshme do të jetë e dyta gjatë presidencës hungareze, duke i bërë jehonë angazhimit të BE-së për të përshpejtuar procesin e pranimit me vendet kandidate”, thuhet në njoftim.


Ky pritet të jetë grup-kapitulli që do të mbyllet më shpejt në negociata pasi Shqipëria e ka njësuar plotësisht politikën e jashtme me atë të BE-së, sidomos në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë pas agresionit ndaj Ukrainës.

Kujtojmë se Shqipëria mbajti sot Konferencën e Dytë Ndërqeveritare me BE, duke hapur grup-kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim më datë 15 Tetor. Kryeministri Rama, që kryesonte ekipin negociues, e cilësoi një arritje historike për vendin, duke mos harruar edhe afatin e fundit të këtij procesi.

Anëtarësimi brenda kësaj dekade është afat objektiv dhe për Komisionerin e Zgjerimit Oliver Varhelyi.

/tvklan.al