Shqipëria U-21 mori një fitore të madhe, teksa mposhti Zvicrën me rezultatin 2-1 me përmbysje, në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e Euro 2025.

Një ndeshje spektakolare dhe e luftuar deri në sekondat e fundit, ku kuqezinjtë e Alban Bushit, ia dolën të triumfojnë, falë një dopiete të shënuar nga Adrion Pajaziti dhe një penalltie të pritur në fund nga Klidman Lilo.

Helvetët vendas, shënuan të parët në minutën e 16-të me Surdez, por avantazhi zgjati pak, pasi dy minuta më vonë, Pajaziti barazoi shifrat.

Pjesa e parë u mbyll në barazim 1-1, ndërsa fraksioni i dytë i lojës, ishte akoma më spektakolar.

Një supergol i Pajazitit në minutën e 69-të, i dha avantazhin Shqipërisë. Sulmuesi lëshoi një predhë nga jashtë zone, për ta ndalur topin në fundin e rrjetës.

Në minutën e 85-të, Lilo u kthye në heroin e kombëtares kuqezi, me portierin që priti penalltinë e gjuajtur nga Nikolas Muci.

Shqipëria e ruajti avantazhin deri në fund, për të marrë fitoren, e cila e ngjit në kuotën e 13 pikëve, po aq sa Finlanda e vendit të tretë dhe 1 pikë më pak se Zvicra e vendit të dytë.

Vlen të përmendet se Shqipëria ka edhe një ndeshje për të luajtur në grupin E, ndërsa Zvicra edhe tre të tjera. /tvklan.al