Të qenit pronar i një shtëpie mbetet një nga prioritetet e familjeve shqiptare.
Berati, Gjirokastra dhe Fieri janë tre qarqet me përqindjen më të lartë të familjeve që janë pronare të banesave ku banojnë.
Sipas censit të vitit 2023, në krye është Berati, aty ku 91% e njësive ekonomike familjare kanë në pronësi një banesë.
Në raport me numrin total të familjeve për secilin qark, Tirana ka përqindjen më të lartë të atyre që banojnë me qira.
“Në qarkun e Tiranës 76% e familjeve janë pronarë të banesës ku banojnë, duke reflektuar një prirje të fortë drejt pronësisë dhe stabilitetit. Nga ana tjetër 16% e familjeve janë me qira”, raportoi gazetarja Dorina Halili.
“Ende tek ne shtëpia konsiderohet si diçka e shenjtë. Kjo lidhet edhe me kulturën, me sigurinë, me tregun e qirave që dikush e shikon edhe si mundësi investimi”, tha Orgest Beti, konsulent imobiliar.
Në Europë, Shqipëria është vendi i dytë pas Maqedonisë së Veriut për përqindjen më të lartë të popullsisë që ka në pronësi një banese.
“Mendoj se do jetë një avantazh konkurrues i Shqipërisë dhe shqiptarëve në raport me vendet e tjera të Europës. Çmimet në Tiranë tashmë janë nga 800-900 euro, deri në 5 mijë euro që mund të jenë çmimet e kullave. Qiraja nga 250 euro, deri ne 2-3mije euro”, tha Beti.
Rreth 82% e familjeve shqiptare kanë në pronësi banesën ku jetojnë.
Tv Klan