Nga 1 Shkurti pritet të nisë ulja e çmimit të energjisë elektrike për abonentët familjarë.

Bordi i Entit Rregullator të Energjisë (ERE) do të diskutojë në mbledhjen e të mërkurës më 8 Janar, mbi çmimin e shitjes me pakicë për klientët e shërbimit universal për periudhën 1 Shkurt 2025 – 31 Dhjetor 2025, për të përcaktuar dhe nivelin e ri të tarifave.

Ulja e çmimit të e enrgjisë pritet të prekë vetëm konsumatorët familjarë, dhe jo bizneset apo institucionet buxhetore dhe jobuxhetore.

Uljen e çmimit të energjisë elektrike për abonentët familjarë e paralajmëroi edhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në deklaratën e saj më 1 Janar, duke e lidhur këtë vendim të qeverisë me performancën pozitive të këtij sektori.

Aktualisht çmimi i energjisë elektrike për familjet është 9,5 Lekë për kilovat pa TVSH, ndërsa me TVSH arrin në 11,4 Lekë.

Ndërkohë që, aplikimi që ka depozituar Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike pranë ERE për çmimin e ri për konsumaotrët familajrë, ende nuk është bërë publik.

Klan News