Më 20 Dhjetor të vitit të kaluar emisioni “Stop” transmetoi rastin e denoncuar nga qytetarja Fiti Memoçi, banore e njësisë numër 8 në Tiranë. Ajo tregoi se familja Murga përbëhet nga 4 anëtarë, nëna e sëmurë dhe 3 fëmijët e rritur me probleme të shëndetit mendor.

Ata jetojnë vetëm me 100 mijë lekë të vjetra e prej vitesh nuk kanë as energji elektrike. Një qytetar, i quajtur Arben, i çon ushqim çdo ditë e kështu mbijeton familja Murga.

“Stop” vuri në lëvizje njësinë numër 8, Dritan Dangon me stafin si dhe Shërbimin Social Shtetëror Rajonal dhe OSHEE-në. Ardi Kola nga OSHEE tha se nëse bëhet një akt-marrëveshje, familjes mund t’i lidhen dritat. Por debia është 5 milionë lekë dhe duhet të paguhen dy vite, që të realizohet kjo marrëveshje.

“Stop” i bëri pagesën fillestare dhe i lidhi dritat. Pas transmetimit të shumtë kanë qenë qytetarët, që janë solidarizuar me familjen Murga.

Një biznes nga Elbasani i mundësoi ushqime dhe sende shtëpie. Një qytetar i dhuroi një kalorifer. Anxhela Bardhi nga Anglia i solli 2 milionë lekë për rregullimin e shtëpisë. Agim Murati pagoi dy vite akt-marrëveshjen me OSHEE-në dhe i siguroi ushqime çdo muaj nga një supermarket./tvklan.al