Gjykata e Nju Jorkut ka caktuar shtatorin muajin kur do të japë dënimin për ish-presidentin Donald Trump për çështjen penale në lidhje me pagesat për të blerë heshtjen e yllit të filmave për të rritur Stormy Daniels.

Shtyrja do të bëhet për deri të paktën më 18 Shtator, rreth një muaj pasi të jetë mbajtur Konventa Kombëtare Republikane, ku pritet që Trump të marrë zyrtarisht emërimin si kandidat i kësaj partie për zgjedhjet presidenciale.

Gjykatësi Juan Merchan shtyu datën e dënimit në mënyrë që të mund të peshonte argumentin e ish-presidentit amerikan se ai duhet të kishte imun ndaj ndjekjes penale. Gjykata e Nju Jorkut pati caktuar fillimisht datën 11 korrik për të dhënë dënimin për ish-presidentin amerikan për veprat penale në lidhje me falsifikimin e të dhënave të biznesit të cilat ai i mohon si një gjueti shtrigash.

Prokurorët kanë deklaruar se pagesa për Daniels ishte pjesë e një skeme më të gjerë për të blerë heshtjen e personave që mund të dilnin publikisht gjatë fushatës elektorale për marrëdhënie jashtëmartesore.

Në fillim të kësaj jave me një vendim 6 me 3, anëtarët e Gjykatës së Lartë në Shtetet e Bashkuara të  Amerikës i kanë dhënë një imunitet të pjesshëm ish-presidentit Donald Trump. Duke iu referuar rastit te Donald Trump, i akuzuar për sulmet e 6 janarit si përpjekje për të përmbysur rezultatin zgjedhor, Gjykata thekson se presidentët kanë imunitet absolut nga hetimet për veprimet zyrtare. Ndërsa theksohet se nuk e gëzojnë atë për veprimet jo zyrtare.

Ish-presidenti Trump u shpall fajtor më 30 Maj për 34 akuza penale në lidhje me falsifikimin e të dhënave të biznesit, me qëllim fshehjen e një pagese prej 130 mijë dollarësh për të blerë heshtjen e Stormy Daniels, pak përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.

Klan News