Vendit i rikthehet qetësia nga zjarret. Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu njofton se janë shuar shumica e vatrave të zjarrit pas disa javësh luftë me flakët. Gjatë 24 orëve të fundit, nga 31 vatra zjarri të raportuara 28 janë shuar plotësisht.
Aktualisht vatrat aktive janë të izoluara pa rrezik përhapjeje dhe po monitorohen për të shmangur çdo mundësi riaktivizimi. Situatë me zjarret ka në Arrën të Bashkisë së Kukësit, në Fushë-Lugje të Mirditës dhe në Buçaj të Shkodrës.
Për normalizimin e situatës sipas Ministrisë së Mbrojtjes u angazhuan struktura operacionale të Emergjencave Civile, zjarrfikës, efektivët e Forcave të Armatosura, Policia, Shërbimin Pyjor, Zonat e Mbrojtura dhe vullnetarë.
Shqipëria prej nisjes së stinës së verës është përballur çdo ditë me vatra zjarri. Në çdo qark janë shkrumbuar sipërfaqe të mëdha pyjore dhe kullota. Në disa raste për shkak të terrenit të vështirë malor, është dashur dhe ndërhyrje nga ajri nëpërmjet avionëve ujë-hedhës. Ku në ndihmë të forcave shqiptare, mbërriti edhe një avion nga Rumania në kuadër të Mekanizmit evropian të emergjencave civile.
Që prej muajit Korrik policia e shtetit ka zbardhur rreth 60 raste të zjarreve, duke arrestuar apo proceduar personat e dyshuar. Sipas policisë, këto raste kanë qenë zjarrvënie të qëllimshme ose nga pakujdesia, ndaj autorët janë dërguar para përgjegjësisë penale.
Klan News