Futbolli në zi! Shuhet legjenda e futbollit Diego Armando Maradona. Mediat argjentinase raportojnë se Maradona ka pësuar një arrest kardio-respirator të mërkurën.

Në fillim të Nëntori, 60-vjeçari i ishte nënshtruar një operacioni për mpiksje gjaku në tru. Atëherë u njoftua se Maradona po trajtohej edhe për varësinë ndaj alkoolit.

Maradona konsiderohet si një prej lojtarëve më të mirë në historinë e futbollit. Në vitin 1986, ai fitoi Kupën e Botës dhe po atë vit bëri histori me golin kundër Anglisë që më vonë u quajt “dora e Zotit”.

Maradona ka luajtur me Boca Juniors, Barcelonën dhe Napolin. Me skuadrën italiane ai bëri histori ku arriti të fitonte dhe Serie A dy herë.

Kush ishte legjendari Maradona?

I lindur më 30 Tetor 1960 në një nga lagjet më të varfra të Buenos Airesit, ai dëshmoi talentin e tij fill pasi iu dhurua një top futbolli për tre vjetor. Dhe topi do të ishte shoqëruesi i tij deri në frymën e fundit. Më vonë, ai u spikat nga trajneri i Argentinos Juniors, i cili nuk i besonte syve sesi një djalë tetë vjeçar mund të manovronte në atë lloj mënyre. Fama iu rrit shumë shpejt dhe në moshën 15-vjeçare ai ishte lojtari i parë argjentinas, i cili do të luante me kombëtaren për një miqësore me Hungarinë. Ai luajti për pesë vjet tek Argentinos Juniors ku shënoi 116 gola në 166 ndeshje.

Oferta marramendëse erdhën për lojtarin, por ai nuk hoqi dorë nga skuadra që adhuronte që prej fëmijërisë dhe e bëri të qartë vendimin e tij për të kaluar tek Boca Juniors, ku shënoi 28 gola në 40 ndeshje. Në 26 Qershor të vitit 1983, ai u transferua tek Barcelona për 7.3 milionë Dollarë dhe njihet si lojtari i parë në El Classico që mbështetet edhe nga fansat e Realit të Madridit. Sidoqoftë, performancat nuk ishin siç pritej, sepse vazhdimisht i bëheshin ndërhyrje të rënda. Ai u dëmtua në këmbë dhe marrëdhëniet me stafin e klubit katalanas nuk i kishte të mira. Ndeshja kundër Bilbaos, me një nga incidentet më të mëdha në historinë e futbollit detyroi Barcelonën, të shtyrë edhe nga ankesa e 100,000 tifozëve, ta përjashtonte Maradonën.

Kështu u transferua tek Napoli për 13 milionë Dollarë. Mbështetja nga fansat e preku, kështu që i dhuroi Seria A një spektakël. Napoli tashmë falë tij renditej i treti pas Juventusit dhe Romës. Në këtë periudhë, Kampionati Botëror i 1986 startoi dhe pa dyshim Maradonën nuk kishte gjë që e ndalte. Ishte i shpejtë, i fuqishëm nuk i jepeshin më faull për ta ndaluar. Falë talentit të tij të lindur, driblimit të topit, reagimit në kohë dhe pasimeve, Maradona mundi çdo lojtar dhe ekip që i doli përpara dhe çoi Argjentinën e tij për herë të parë drejt fitores së Kupës së Botës.

Jeta e Maradonës është një ndërthurje mes lavdisë dhe dështimeve, mes famës dhe skandaleve, ama një gjë nuk mungoi kurrë për të… Festat dhe kokaina, të cilat i dhanë fundin epokës së tij legjendare dhe mundësuan moskthimin e tij në fushë./tvklan.al