Zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit në Shtetet e Bashkuara pritet të kenë ndikim të konsiderueshëm në politikën e Uashingtonit kundrejt Iranit. Nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, kandidate e demokratëve për presidente në këto zgjedhje, pritet të çojë përpara politikën me fokus në diplomaci, kanë thënë ekspertët.

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, kandidat i republikanëve, pati udhëhequr me politikën e “presionit maksimal” gjatë mandatit të tij në Shtëpinë e Bardhë, dhe pritet të ketë qasje të ngjashme të ashpër, thonë analistët. Në fillim të tetorit, Harris ka habitur jo pak njerëz kur e ka përshkruar Iranin si “armikun më të madh” të Uashingtonit, duke lënë mbrapa Rusinë dhe Kinën.

Alex Vatanka, drejtor i Programit për Iranin në Institutin për Lindje të Mesme, me seli në Uashington, ka thënë se komentet e saj nuk duhet të shihen me vlerë nominale. Harris ka thënë “atë që është dashur të thotë”, për hir të politikave të brendshme, dhe për të qetësuar lobin pro-izraelit.

Fushata e Harrisit synon “ta pozicionojë atë gati në një linjë me Trumpin kur është fjala për Iranin”, ka thënë Gregory Brew, analist i lartë në Grupin e Euroazisë me bazë në Shtetet e Bashkuara.

“Harris pritet të vazhdojë qasjen e Bidenit, të çojë përpara diplomacinë, pa ofruar koncesione të mëdha, dhe duke pasur kujdes që të mos nxisë reagime të brendshme politike”, ka thënë Brew.

Ekspertët thonë se konflikti në Lindje të Mesme, ku Izraeli lufton grupet e mbështetura nga Irani në Rripin e Gazës dhe Liban, mund të ndikojë që Harris të krijojë një politikë më të vrazhdë kundrejt Teheranit.

Diplomacia me Teheranin do të mbetet si opsion nën presidencën e Harrisit, kanë thënë ekspertët, mirëpo secila negociatë do të duhej t’i kishte në qendër çështjet rajonale, dhe jo programin bërthamor të Iranit. Përgjatë mandatit të tij në Shtëpinë e Bardhë, 2017 – 2021, Trump i ka tërhequr Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja bërthamore – e nënshkruar mes Teheranit dhe fuqive botërore – i ka rikthyer sanksionet ndaj Iranit, dhe ka urdhëruar vrasjen e gjeneralit të lartë iranian, Qassem Soleimani.

Mirëpo, është e paqartë nëse Trump do të adoptojë sërish politikë të ngjashme ndaj Iranit, nëse fiton zgjedhjet, kanë thënë ekspertët, duke përmendur jostabilitetin e ish-presidentit. Përgjatë fushatës zgjedhore, Trump ka sugjeruar, pa ofruar dëshmi, se Irani është i përfshirë në tentimet e fundit për vrasje të tij, dhe ka kërcënuar se do ta copëtojë shtetin në “thërrmija”.

Mirëpo, Trump ka thënë edhe se është i gatshëm të bisedojë me Iranin, përfshirë edhe çështjet bërthamore. Nën presidencën e Trumpit, do të ketë shumë më pak interes për diplomaci me Teheranin, ka thënë Brew. Sipas tij, në mesin e republikanëve ekziston “gatishmëri më e madhe për të toleruar veprim ushtarak kundër Iranit”, sidomos pas sulmit të parë të Izraelit kundër Iranit, më 26 tetor.

Mirëpo, mundësitë e përfshirjes së Shteteve të Bashkuara në luftë kundër Iranit, mbesin të vogla. “Është e vështirë për mua që të shoh në këtë momente të historisë amerikane, një president amerikan që planifikon një luftë të madhe”, kla thënë Vatanka.

Sipas tij, Irani do të jetë më i gatshëm të bisedojë me Trumpin, sepse “mund t’i duket më i përshtatshëm për të arritur marrëveshje” me një ish-president, dhe me një qasje joshëse, “mund t’ia ushqejë egon”.

Vatanka beson se në përgjithësi, politika amerikane kundrejt Iranit do të funksiononte më shumë “përmes një konsensusi institucional të vendimmarrjes”, nën presidencën e Harrisit, ndërsa me Trumpin, situata do të kishte në qendër “mendjen dhe ndjenjat e një njeriu”.

/REL