Në juglindje të Azisë shtrihet Singapori, një shtet ishullor që në harkun e shumë pak viteve po bëhet “qyteti ose metropoli global i së ardhmes”, që po tërheq vëmendjen e miliona turistëve nga e gjithë bota.

Udhëtimi me ndalesë në Stamboll zgjat 12 orë e gjysmë. Aeroporti Ndërkombëtar i Singaporit është nga më të frekuentuarit dhe më të mirët e Azisë dhe botës.

Autorja e emisionit, Albana Nanaj ishte e shoqëruar në këtë udhëtim nga gazetari Drini Zeqo dhe sëbashku prezantuan atraksionet turistike të Singaporit.

Territori i Singaporit përbëhet nga një ishull i madh dhe shumë të tjerë të vegjël, që gjenden përreth tij. Singapori ka 60 ishuj të vegjël natyralë dhe artificialë, të krijuar për qëllime turizmi.

Që nga koha e Pavarësisë nga Malajzia më 9 Gusht 1965, Singapori e ka zgjeruar me 23% territorin dhe hyn tek vendet ku brenda një gjenerate ka kaluar nga një shtet i botës së tretë, në një nga vendet më të zhvilluara të botës.

https://youtu.be/WJKkJyGZyFU?t=15s

Vendosja e një poste tregtare britanike në Singapor në vitin 1819, nga Sir Stamford Rafles, çoi më pas në krijimin e kolonive britanike, në vitin 1824.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Singapori u pushtua nga Perandoria Japoneze, nga 1942 deri në 1945.

Sot popullsia e Singaporit arrin në gati 5.7 milionë banorë dhe ekonomia është gjithnjë në rritje, e për këtë arsye jo rrallë herë e njohin si “Tigri Aziatik”, pasi sipas fakteve 1 në 30 banorë është milioner.

Singapori gjithashtu ka dhe universitetin më të mirë në botë, mes atyre të krijuar 50-vjeçarin e fundit. Partneri më i fuqishëm tregtar i vendit është Kina, ndjekur nga Hong Kongu, Malajzia, Indonezia, SHBA, Japonia etj.

Prej vitesh, Singapori është një destinacion që po tërheq vëmendjen e gjithë botës.

“Në 50-vjetorin e Pavarësisë në 2015, kompania e famshme e udhëtimeve Lonely Planet, e konsideroi Singaporin destinacionin numër 1 në botë për t’u vizituar. Këtë qytet mund ta vizitosh duke pasur në dispozicion disa lloje të ndryshme buxhetesh. Mund të zgjedhësh të qëndrosh në hotele me 4 yje, me vetëm 50 euro nata dhe të ushqehesh vetëm me 4/5 euro vakti, gjë që e zgjedh shumica e të rinjve me një buxhet të ulët, në kërkim të aventurës. Gjithashtu, për ato turistë që preferojnë luksin, Singapori ka brenda pafund hotelesh me 5 yje, me çmime duke filluar nga 120 euro, deri në 300 euro nata. Singapori është një destinacion ku 3-4 ditë qëndrim do të ishin të mjaftueshme me një paketë 5 ditore, që varion nga 1100 euro”

, tha Nanaj.

Muajt nga Tetori në Janar janë më të lagështit, ndërsa muajit më të thatë dhe të nxehtë, janë Maji dhe Qershori.

Singapori është një qytet shumë miqësor me ambientin. Pavarësisht se gradaçelat dhe zhvillimi teknologjik ka avancuar shumë, janë gjendur disa forma për të qëndruar sa më pranë natyrës.

“Gardens by the bay”, ose kopshtet pranë bregut janë një destinacion, i cili është një domosdosmëri për t’u zbuluar. Ky vend është një ndër më të vizituarit e të gjithë botës, sa i takon vitit 2015. Përmes këtyre kopshteve mund të përjetosh një eksperiencë që të çon në 9 vende të ndryshme të Afrikës, Amerikës, Azisë, Australisë dhe Europës.

Por ajo mund të quhet pjesa më mahnitëse është rikrijimi i një pylli tropikal brenda një strukture qelqi që quhet pylli i reve. Në hyrje të saj derdhet një ujvarë 35 metra e gjatë, ujëvara më e madhe në botë brenda një hapësire të mbyllur.

Ky pyll në versionin e tij natyral mund të gjendet në lartësinë nga 800 deri në 3000 metra. Mes mjegullës, aty ngrihen pemë të lashta, bimë të rralla mes tyre dhe orkidea për të cilën Singapori njihet në botë për prodhimtarinë e lartë.

I gjithë Singapori natën merr një tjetër kuptim. Pikërisht për këtë arsye shumë nga desticacionet e këtij qyteti këshillohen që të vizitohen kur rrezëllojnë nga dritat. Në Singapor spektakli i dritave është një atraksion si në asnjë vend tjetër të botës.

Në Singapor në këtë periudhë të vitit duket se ka vetëm magji në ajër nga zbukurimet dhe shpirti festiv.

/tvklan.al