Nuk kaloi shumë kohë nga rrëzimi i regjimit të Bashar al Assadit dhe në Siri kanë filluar protestat për shtet laik dhe demokratik. Me qindra sirianë demonstruan në sheshin Umajad, në zemër të Damaskut, dhe u kërkuan udhëheqësve të rinj të ndërtojnë një Siri të re laike ku gratë trajtohen në mënyrë të barabartë.
Duke brohoritur ‘Jo sundimit fetar’, demonstruesit valëvitën flamurin sirian pas fitores së islamistëve sunitë.
“Dua të jap një mesazh se gratë duhet të jenë pjesë e gjithçkaje, ato duhet të jenë të lira në Siri. Shpresoj se ky tubim do jetë i dobishëm, jo si ata të organizuar më parë në vitin 2011.”
Pavarësisht shkatërrimit dhe shtetit të falimentuar ekonomikisht, jeta vazhdon dhjetë ditë pas përmbysjes së regjimit të ish-presidentit Bashar al-Assad.
Në Damask u hap një panair Krishtlindjesh dhe vizitorët nxituan të bëjnë foto pranë dekorimeve.Yaza al-Sahour, së bashku me partneren, shpreson se Siria do të rindërtohet si një “vend për të gjitha sektet dhe fetë”.
Shumë sirianë u larguan nga vendi nga frika e persekutimit, pavarësisht garancive se do të jenë të sigurt nën sundimin e grupit, HayatTahriral-Sham (HTS), grupi islamik sunit që është shfaqur si forcë dominuese në Sirinë pas Asadit, por është larg të qenit fraksioni i vetëm i armatosur në terren.
Komunitetet shiite kanë qenë shpesh në vijën e parë të luftës civile 13-vjeçare të Sirisë, e cila mori dimensione sektare pasi Assadi, i pakicë salavite, mobilizoi aleatët shiitë rajonalë, përfshirë Hezbollahun e Libanit, për të luftuar rebelët sunitë.
Gratë kanë frikë se një shtet fetar do të kufizojë liritë e tyre si në Iran.
Bota po shikon me kujdes nëse sundimtarët e rinj të Sirisë do të arrijnë të stabilizojnë vendin dhe të shmangin hakmarrjen e dhunshme, pas një lufte civile të zhvilluar në linja sektare dhe etnike.
Klan News