Janë presionet ato që i kanë detyruar ish-kryetarët e Hipotekës së Vlorës që të largohen nga ky post. Kështu u shpreh këtë të mërkurë në studion e “Opinion” në TV Klan, kreu i agjencisë së Kadastrës, Artan Lame. Ai tha se në Vlorë dhe përgjithësisht në jug, hipotekat regjistronin prona pa i parë fare.

Lame tha se nuk i rezulton që të ketë presione nga politika, megjithatë mund të jetë bota e nëndheshme e krimit që lëviz për këto çështje.

Blendi Fevziu: Pse ikin kryetarët?

Artan Lame: Bregdeti i jugut nuk është regjistruar. Të gjendur përpara presionit në gjithë këto vite, Hipotekat e vjetra në Vlorë, përgjithësisht në jug kanë gjetur këtë lloj zgjidhje. Regjistronin vendime pa i parë fare. Vinte njeri me këtë vendim dhe e regjistronin, vinte tjetri me një vendim tjetër e regjistronin. në këtë moment po fillojmë regjistrimin për herë të parë në jug dhe të krijojmë një harta ku të mbivendosen. Në momentin që do mbivendosen i themi të shkojnë në gjykatë.

Blendi Fevziu: Çfarë po ndodh me Hipotekën e Vlorës?

Artan Lame: Kjo po ndodh!

Blendi Fevziu: Po pse ikin atëherë?

Artan Lame: Presioni!

Blendi Fevziu: Nga kush?

Artan Lame: Ka njerëz që e mbajnë presionin, ka njerëz që nuk e mbajnë. Ka dhe raste të tjera largimesh, ndodhin dhe do ndodhin. Bën presion ai që është në gjendje të bëjë presion. 

Blendi Fevziu: Janë presione që vijnë nga krimi apo nga politika?

Artan Lame: Jo nga politika nuk më rezultojnë të vijnë presione. Ndoshta është krimi, bota e nëndheshme, e lidhur me politikën që pastaj, politika vë këtë pjesë për të lëvizur. Të mos harrojmë që kjo është e vetmja mënyrë për të vënë rregull mbi këtë situatë. /tvklan.al