Agjencia Kombëtare e Barnave dhe pajisjeve mjekësore ka cenuar sigurinë e shëndetit në popullatë dhe ka shkelur edhe ligjin duke lejuar hedhjen në treg të ilaçeve të marra nga 6 vende aziatike pa kryer me parë analizat.
Është ky reagimi i specialistëve të farmakologjisë në lidhje me skandalin që ka evidentuar Kontrolli i Lartë i Shtetit. Diana Toma, ish-presidente e Udhrit të Farmacistit thotë se kryerja e analizave për barnat që shiten nëpër farmaci është detyrim ligjor.
“Nëse duhet ta analizojmë se çfarë problematike përmban mosbërja e këtyre analizave, duhet të nisemi nga fakti përse bëhen, bëhen për të identifikuar saktësinë e cilësisë e cila paraprakisht aprovohet nëpërmjet dokumentit shoqërues dhe më pas bëhet edhe verifikimi në realitet që hulumtohet nëpërmjet analizave. Ne s’kemi asnjë informacion mbi saktësinë dhe përputhshmërinë e barnave që kemi prezent në tregun shqiptar, pavarësisht vendit ku distribuohet me dokumentacionin që e shoqëron. Analiza bën pastaj përputhshmërinë e përmbajtjes të dokumentave dhe atë që ilaçi përmban. Kryerja e analizave nuk është luks, është detyrim ligjor i institucionit për të evidentuar përpurthshmërinë për cilësinë dhe efikasitetin e barnave.”
Kontrolli i Lartë i Shtetit zbuloi se medikamentet që ishin futur me urdhër të ministrit të Shëndetësisë nga Kina, India, Bangladeshi, Sinagapori dhe Koreja e Jugut nuk i ishin nënshtruar asnjë kontrolli përpara se të hidheshin në treg. Specialistët thonë se edhe këto medikamente duhet t’u nënshtrohen analizave.
“Edhe barnat që futen me autorizim të ministrit duhet t’i nënshtrohen analizës së produktit.”
Përveç mungesës së kontrollit, qytetarët mund të kenë përdorur barna të tjera që janë nën standard.
Gazetarja e Tv Klan Erikleda Dorezi u interesua pranë Agjencisë Kombëtare të Barnave se sa është numri i analizave të kryera gjatë një viti për barnat që qarkullojnë në Shqipëri, por ende nuk është marrë një përgjigje zyrtare.
Tv Klan