Sipas Agjencisë së Barnave, për mostrat e analizuara në laborator, cilësia e barnave në Shqipëri është e garantuar.
“Nuk ka parashikim ligjor të posaçëm që të detyrojë kryerjen e analizave fiziko-kimike dhe mikrobiologjike të çdo bari që vendoset në tregun e Republikës së Shqipërisë dhe ndërkohë kjo praktikë është në linjë edhe me praktikat e agjencive homologe në rajon, Bashkim Evropian dhe më gjerë. Sa më sipër barnat që qarkullojnë në RSH përmbushin kriteret e cilësisë dhe sigurisë për përdorim nga pacientët dhe popullata.”
Lidhur me lejimin e importit të barnave me autorizim ministri, ISHP thotë se bëhet fjalë vetëm për vaksinat të cilat janë të shoqëruara me certifikatën e prodhimit.
Eugena Tomini, drejtore e ISHP: Sigurojmë popullatën shqiptare që aplikojmë vaksina të sigurta, edhe për vaksinat ekstra që janë në kuadër të mbrojtjes së shëbdetit publik. Për çdo procedurë ISHP bashkëpunon me institucionet ndërkombëtare, dorëzon të gjitha dokumentat ligjore pranë AKBPM-së duke përfshirë edhe certifikatën e kryerjes së ekzaminimeve pavarësisht se kalon për leje edhe tek ministri.
Raporti i KLSH-së thekson se për periudhën 2020-2023 numri i autorizimeve/riautorizimeve të tregtimit të barnave që qarkullojnë në vendin tonë është shumë më i lartë në krahasim me analizimin laboratorik të barnave që janë importuar ose prodhuar në vend, ku nuk janë kryer pothuajse as gjysma e analizave, duke sjellë në këtë mënyrë mungesën e sigurisë së barnave që qarkullojnë në Republikën e Shqipërisë.
Pa përfshirë këtu 451 autorizime ministri për të cilat nuk është kryer procedura e kryerjes së analizave. Gjatë vitit 2020, nuk është kryer asnjë analizë nga ana e sektorit të laboratorit pranë AKBPM edhe pse janë dhënë në total 740 autorizime/riautorizime tregtimi.
Tv Klan