Prokuroria e Tiranës kërkon 7 vite burg për ish-sanitaren Tire Alldervishi, e cila akuzohet për mashtrimi më shumë se një herë.
Prokurori Bledar Valikaj kërkoi për infermieret Sheqerije Koçi, Sidorela Çela, Erjola Jazxhi, Gylbra Halilaj nga 6 vite burg, po gjashtë vite kërkohen edhe për sanitaren tjetër Rukije Hoxhaj.
Ish-sanitarja Tire Alldervishi, u denoncua në emisionin investigativ “Stop”. Nëpërmjet video-përgjimeve u zbulua se ajo duke u prezantuar si infermiere arriti t’i zhvaste vajzës së një paciente të shtruar në spital me Covid rreth 8 milionë Lekë. Pas afro një muaji pacientja humbi jetën.
Tire Alldervishi u arrestua në Janar të vitit 2021. Pas 7 muajsh, gjykata vendosi për të masën arrest në shtëpi me arsyetimin se 58-vjeçarja nuk ka rrezik të prishë provat dhe se gjendja e saj shëndetësore ishte jo e mirë.
Në rrjetën e përgjimeve për këtë çështje ranë edhe 3 infermiere. Ata u liruan nga Gjykata e Apelit nën masën e sigurisë detyrim paraqitje me argumentin që prokuroria duhet të gjente prova dhe fakte bindëse për të provuar aktivitetin e tyre të paligjshëm.
Prokuroria argumentoi se ato kishin krijuar një skemë të mirëfilltë zhvatje në mënyrë që të përfitonin para nga pacientët e sëmurë dhe të afërmit e tyre.
Klan News