Prokuroria e Posaçme pranoi aktet dhe regjistroi procedim penal për dosjen e mjekëve të Onkologjikut për akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit të funksionarëve publik.
Disa ditë më parë, Prokuroria e Tiranës shpalli moskompetencën për dosjen me 7 të hetuar, mes tyre edhe 3 mjekë me argumentet se hetimet kishin treguar që ata janë përfshirë në korrupsion në vlera të mëdha.
Gjithashtu kjo prokurori sugjeroi të hetohej edhe në drejtim të grupit kriminal, por për SPAK bashkëpunimi i tyre deri më tani nuk është i tillë.
Prokuroria e Posaçme ka dorëzuar të mërkurën pranë Gjykatës së Posaçme kërkesën për rivlerësimin e masave të sigurisë, 2 arrest në shtëpi dhe 5 të tjera në detyrim për t’u paraqitur.
Kështu, mjekët dhe punonjësit e tjerë të Spitalit Onkologjik të vënë në hetim do të përballen me akuzat se kanë vënë në jetë një skemë të dërgimit të pacientëve të diagnostikuar me tumore drejt spitalit privat dhe për këtë merrnin vlera të ndryshme monetare.
Tv Klan