Prokuroria e Tiranës dërgoi në SPAK dosjen e abuzimeve në Spitalin Onkologjik, për të cilën mori në hetim disa ditë më parë 7 persona, mes tyre edhe 3 mjekë. Dosja është përcjellur pranë Prokurorisë së Posaçme 4 ditë më parë.
Prokurori i Tiranës, Bledar Valikaj në argumentet e moskompetencës thotë se ka dyshime që ata janë korruptuar në vlera të larta monetare dhe kanë vepruar në kohë të gjatë me njëri-tjetrin, duke sugjeruar hetimin edhe në drejtim të grupit kriminal.
Për këtë çështje Gjykata e Tiranës lëshoi 7 masa sigurimi, 2 arrest në shtëpi dhe 5 të tjerë detyrim për tu paraqitur. Hetuesit thonë se mjeku Edmond Gashi në bashkëpunim me kolegët e tij orientonin pacientët e diagnostikuar me kancer në një klinikë private, e cila rezulton në emër të babait të tij Halil Gashi.
Për çdo pacient që orientohej për trajtim tek spitali privat, sipas Prokurorisë mjekët e Onkologjikut përfitonin shuma të konsiderueshme parash. Gjithashtu po nga hetimet e kryera ka rezultuar se në Spitalin Onkologjik prej vitit 2021 është instaluar një aparaturë kobalto-terapie për trajtimin e pacientëve të diagnostikuar me sëmundje tumorale, e cila nuk është shfrytëzuar.
Tv Klan