Pasi garantuan çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë, Skënderbeu dhe Vllaznia e zhvendosin vëmendjen në kampionat.
Korçarët synojnë që të rikthehen tek fitorja për tu larguar sa më shpejt nga fundi i renditjes. Ndërkaq, në kampin shkodran, atmosfera është e mirë, me teknikun Bërdariç që e cilëson skuadrën korçare tepër të fortë fizikisht.
“Po përgatitemi për këtë sfidë të fortë në Korçë, është ndeshja e tretë brenda kësaj jave. E dimë që kushtet atje do jenë të vështira, prandaj na duhet anë psikologjike e fortë, të jemi sa më mirë fizikisht. Skënderbeu është ekip mjaft mirë fizikisht, miks mes lojtarëve të rinj dhe me eksperiencë, i mirë në tranzicion të shpejtë. Duhet të jemi sa më të vëmendshëm, ta kapim ndeshjen nga minuta e parë”, tha Thomas Brdaric.
Në seancat stërvitore, tekniku ka analizuar pikat e forta dhe të dobëta të Skënderbeut.
“Kurrë nuk nënvlerësojmë një ekip. Kemi luajtur dy herë me Skënderbeun, e dimë ku i kanë anët e forta, po ashtu duhet të shfrytëzojmë anët jo të forta”, tha Brdaric.
Përballje interesante dhe që plotësojnë javën e 21-të të Superligës janë ato Partizani-Teuta dhe Dinamo-Elbasani.
Klan News