Ahmetaj: Keni reduktuar investimet publike, nuk ka rritje pagash
Buxheti i vitit 2020 për Ministren e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj mbështet konsolidimin fiskal, duke ulur në 62.2% të prodhimit kombëtar borxhin publik dhe në 1.6% nivelin e defiçitit. Denaj tha përpara deputetëve të Komisionit të Ekonomisë, se mbi të gjitha ai është realist.
Por deputetët e mazhorancës nuk u shprehën të kënaqur me buxhetin e vitit e ardhshëm. Kreu i komisionit të ekonomisë Arben Ahmetaj tha se buxhetit i mungon emri: nëse është buxheti i rritjes së pagave, i investimeve publike apo i mbështetjes sociale.
Në rolin e relatorit, lista e çështjeve ku Ahmetaj kërkoi reflektim nga qeveria ishte e gjatë, duke nisur me rritjen ekonomike që është parashikuar në nivele më optimiste, ajo e planfikimit të të ardhurave, mungesa e politikave të reja për rritjen e pagave dhe bonusit të pensionistëve, por mbi të gjitha për të më shqetësuese është ulja e investimeve publike.
Fondet për disa akse kryesore janë ulur ndjeshëm, duke shtyrë edhe afatin e përfundimit të rrugëve që kanë nisur. Këtu ai i kujtoi për herë të dytë Ministres Denaj angazhimin elektoral të socialistëve, ndërsa tha se konsolidimi fiskal nuk mund të bëhet në kurriz të qytetarëve dhe zhvillimit të infrastrukturës.
Ndërsa deputeti Anastas Angjeli kërkoi që qeveria përpara se të sjellë ndryshimet në ligjet fiskale për të realizuar procesin e fiskalizimit, duhet të miratojë fillimisht ligjin e fiskalizimit. Ai kërkoi që në paketën fiskale të merret parasysh ulja e 19 vendeve të Shqipërisë në raportin Doing Business.
Ditën e enjte Anila Denaj do të jetë sërish në Komisionin e Ekonomisë për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve, të cilat llogaritet të jenë mbi 100.
Tv Klan