Kur duhen edhe tre javë nga zgjedhjet e përgjithshme në Itali, koalicioni i qendrës së djathtë, i udhëhequr nga ish-kryeministri Silvio Berlusconi, kryeson sondazhet.

Sipas një sondazhi të publikuar në të përditshmen La Stampa, nëse votimet do të zhvilloheshin sot, Forza Italia e Silvio Berlusconit, Lega Nord e Matteo Salvinit, Fratelli d’Italia e ish-ministres së Rinisë Giorgia Meloni dhe partitë e tjera arrijnë rreth 36.5% të votave.

Nga ana tjetër, qendra e majtë e kryesuar nga Partia Demokratike e ish-kryeministrit Matteo Renzi merr rreth 29.8% të votave.

Në rang partish, forcë e parë vlerësohet të jetë Lëvizja 5 Yjet, e Beppe Grillos, e cila nuk garon e rreshtuar në dy koalicionet e mëdha. Kjo Lëvizje, ka 27% të mbështetjes popullore, e ndjekur nga PD me 25% dhe Forza Italia me 16%.

Ndonëse parashikimet e shikojnë si fitues të zgjedhjeve, Berlusconi bashkë me aleatët, me gjasë nuk do të arrijnë të formojnë një shumicë parlamentare. Qendra e djathë pritet të marrë 285 vende në dhomën e ulët të parlamentit italian, në një kohë kur nevojiten 316 vende për të arritur shumicën.

 

Tv Klan