Shkodër, 5 Tetor 2024 – Për herë të parë në Shqipëri, gara epike Red Bull Conquer the Castle u zhvillua të shtunën në orën 16:00 në Kalanë e Rozafës, Shkodër. Kjo garë unike, që përfaqëson një kombinim të garave me pengesa dhe aventurës, tërhoqi atletë të shumtë dhe entuziastë të fitnesit nga e gjithë vendi dhe jo vetëm, të cilët sfiduan veten për të pushtuar kështjellën historike dhe për të fituar titullin “Pushtuesi i Kalasë”.
Red Bull Conquer the Castle, që ka origjinën nga Danimarka në vitin 2018, është tashmë një ngjarje ndërkombëtare që ka magjepsur pjesëmarrës në vende si Irlanda, Kosova dhe Ukraina. Këtë vit, Kalaja e Rozafës – një nga monumentet më të vjetra dhe më të famshme të Shqipërisë – priti me krenari garën e parë në vendin tonë.
Kalaja e Rozafës, e vendosur në një kodër që ngrihet mbi qytetin e Shkodrës, është një destinacion historik me rëndësi të madhe kulturore. Legjenda e Rozafës, një grua e cila sakrifikoi veten për të ndërtuar muret e kalasë, ka mbetur në kujtesën popullore për shekuj me radhë, duke e bërë këtë vend ideal për një garë që kërkon forcë, durim dhe vendosmëri. Muret e lashta dhe relievi malor krijuan një sfond të përsosur për sfidat fizike dhe psikologjike që pjesëmarrësit u detyruan të përballonin.
Koha ishte çelësi i fitores, pasi çdo sekondë kishte rëndësi për të kapërcyer çdo pengesë dhe për të arritur vijën e finishit në kohën më të shkurtër të mundshme. Gara jo vetëm që kërkonte forcë dhe qëndrueshmëri, por gjithashtu një nivel të lartë të përqendrimit dhe kontrollit mendor për të përballuar presionin dhe lodhjen.
Ndër pjesëmarrësit kishte atletë të niveleve të ndryshme fitnesi, me shumicën e tyre të përfshirë në sporte si CrossFit, gara me pengesa, dhe gara malore. Ndërsa disa atletë konkurruan për fitoren, të tjerë sfiduan veten për të testuar limitet e tyre fizike dhe psikologjike në një garë që ishte një provë e vërtetë e aftësive duke ofruar një spektakël të jashtëzakonshëm.
Të gjithë pjesëmarrësit e filluan garën të ndarë në tre grupe me 15 minuta diferencë nga grupi ne grup, më pas 9 finalistet që ngritën 3 flamujt për cdo grup, garuan sërisht për finalen e madhe ku tre garuesit më të shpejtë dhe më të fortë u shpallen dhe fitues duke pushtuar kalanë e Rozafës dhe duke ngritur flamurin e fitores.
Tre atletët më të mirë u shpërblyen me çmime mbresëlënëse:
Vendi i Parë: Markelian Baçi, i cili mori një shpërblim prej 1,000 €.
Vendi i Dytë: Kevin Kupi, i shpërblyer me 800 €.
Vendi i Tretë: Florian Balaj, i cili fitoi 500 €.
Kjo ngjarje pritet të kthehet në një ngjarje të përvitshme duke pushtuar kështu të gjitha kalatë e Shqipërise dhe që do të tërheqë edhe më shumë pjesëmarrës dhe spektatorë në të ardhmen.