1 në 3 demokratë amerikanë mendon se Joe Biden duhet të heqë dorë nga kandidimi për president në zgjedhjet e 5 Nëntorit. Në këtë përfundim arrin një sondazh i agjencisë Reuters në bashkëpunim me firmën ndërkombëtare të anketimeve Ipsos, ku thuhet megjithatë se asnjë nga figurat e tjera të demokratëve nuk mund të bëjë më shumë se Bajden në garën përballë republikanit Donald Trump.

Zërave kundër Bidenit i është bashkuar edhe kongresmeni demokrat nga Teksasi, Lloid Doget, i cili kërkon një tjetër kandidat. Gjithnjë e më shumë demokratë po zhgënjehen me Bidenin, veçanërisht pas performancës së dobët në debatin e 27 Qershorit, kur ai u shfaq në shumicën e rasteve duke mërmëritur përballë Trumpit.

Mediat amerikane citojnë së fundi që Bideni të jetë shprehur se performanca e dobët në debatin me Trumpin ishte për shkak të lodhjes pas një udhëtimi të gjatë me avion. Sipas Reuters, e vetmja që mund t’i krijojë telashe Trumpit është Michelle Obama, ish-zonja e parë, e cila rezulton me një mbështetje 50% me 39% nëse do të përballej me të. Megjithatë, Michell Obama e ka hedhur poshtë çdo mundësi për të kandiduar për presidente.

Tv Klan