Rreth 30 deputetë demokratë protestojnë këtë të mërkurë para Parlamentit Europian, më qëllim që kauzat e opozitës shqiptare të dëgjohen edhe në arenën evropiane. Para nisjes së protestës së tyre në orën 12:00, deputetët Gazment Bardhi, Jorida Tabaku, Agron Gjekmarkaj dhe Albana Vokshi, janë takuar me eurodeputetët Lukas Mandl dhe Davor Ivo Stier, përfaqësues të grupit parlamentar të Partive Popullore Europiane në Parlamentin Europian.

Bardhi shkruan në rrjetet sociale se ka informuar eurodeputetët se gjatë qeverisjes së Edi Ramës Shqipëria nuk ka hedhur hapa drejt BE. Po ashtu, ai thotë se ka vënë në dijeni eurodeputetët edhe për qëllimin e qeverisë për eliminimin e opozitës dhe burgosjet politike në vendin tonë.

Po ashtu, demokratët më herët janë takuar edhe me Sandro Gozi, eurodeputet dhe Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Europiane dhe Oihane Agirregoitia Martínez, përfaqësues të grupit parlamentar “Renew Europe”.

Deputetët demokratë shkuan rreth orës 12:00 para Parlamentit Europian për protestën. Ata shpalosën pankarta për të tërhequr vëmendjen e europianëve për situatën në Shqipëri, për të cilën thonë se po drejtohet nga një sistem diktatorial.

Klan News