Policia spanjolle ka arrestuar tre hakerë prorusë, të dyshuar për kryerje të sulmeve kibernetike me qëllime terroriste, kundër Spanjës dhe shteteve të tjera të NATO-s.

Arrestimet u kryen në ishullin e Mallorca-s të Spanjës dhe në dhe në qytetin e Sevilles në Spanjën jugore. Të dyshuarit janë akuzuar për sulme kibernetike me qëllime terroriste te ndërmarra kundër institucioneve publike si dhe sektorëve strategjikë të vendit.

Sulmet kibernetike janë kryer edhe ndaj web-faqeve zyrtare të organizatave publike dhe private, në sektorët qeveritarë, në infrastrukturë kritike. Ata kanë cenuar shërbimet thelbësore në shtetet që e mbështesin Ukrainën, teksa po lufton pushtimin rus. Policia spanjolle ka publikuar një video në rrjetin social X, duke kryer bastisje në shtëpinë e njërit prej të dyshuarve, ku janë parë elemente sovjetike të ngjitura në mure.

Këto sulme kompjuterike janë organizuar nga grup i hakerëve NoName057(16), i cili ka nisur punën pas nisjes së agresionit rus në Ukrainë .

Në manifestin e tyre të themelimit, grupi e pranon që do të përgjigjet në përputhje me veprimet armiqësore anti-ruse të ashtuquajturve rusofobë perëndimorë.

Klan News