Ditën e sotme dy kuvendet e Shqipërisë dhe Kosovës zhvilluan mbledhjen e përbashkët në Prishtinë. Të pranishëm ishin edhe kryeministrat Edi Rama dhe Albin Kurti si dhe 130 deputetë të të dy parlamenteve.
Në fjalimin e saj, kryeparlamentarja Spiropali u shpreh se Shqipëria dhe Kosova janë një gjak dhe një kulturë, duke mos fshehur emocionin e thellë për këtë takim historik mes dy kuvendeve shqiptare.
“Unë jam me origjinë nga bregu i Labërisë së Shqipërisë, kam lindur në Tiranë, por me shtëpi zemre jam nga Prishtina dhe Prizreni. Epo kështu secili prej nesh është nga Durrësi e Gjakova, nga Drenica e Shkodra, nga Korça e Peja sepse jemi një gjak e një gjuhë, një histori e një kulturë. Emocion i thellë dhe kënaqësi e pafund sot në këtë mbledhje të përbashkët me dy Kuvende tona. Por, ka një problem ne që po takohemi jemi pak, duhet të ishim më tepër, duhet të ishim me qindra mijëra e përsëri pak janë. Duhet të takohemi të gjithë aq sa jemi. Nuk prish punë nëse nuk na nxë kjo sallë, ka salla të tjera që na nxënë, janë fushat, pllajat, janë luginat ku mundemi me u taku, e me u çmall, e me mirëkuptu njëri-tjetrin. Përmetari ta takojë e ta përqafojë prishtinaliun, gjakovari labin, mitrovicaliu vlonjatin e kështu me radhë. Derisa toka të lëvizë në këmbët tona, derisa toka të habitet, derisa Adem Jashari të lëvizë në varr e derisa bota ta mësojë se cilët jemi e çfarë mundemi të bëjmë kur jemi bashkë”, tha Spiropali.
Sipas saj marrëveshja mes dy kuvendeve në vitin 2022 ka institucionalizuar më tej bashkëpunimin mes dy vende. “Kosova është prioritet kombëtar i Shqipërisë”, tha kryeparlamentarja duke vënë theksin tek bashkëpunimet strategjike të dy vendeve.
“Sot në këtë takim të përbashkët ne po ngremë në një nivel tjetër detyrimin tonë ndaj qytetarëve shqiptarë për të vijuar me durim e vizion atë që etërit tanë e kanë bërë me gjak e sakrificë të skajshme. Realizimi i objektivit tonë strategjik, anëtarësimi në Bashkimin Europian, integrimi euroatlantik i Kosovës dhe njohja përfundimtare e saj si realitet i pakthyeshëm në faktorin gjeopolitik. Rritja e rolit dhe peshës të faktorit shqiptar në rajon si një faktor i pazëvendësueshëm stabiliteti për paqen dhe sigurinë janë detyrat tona, janë themeli për të ardhmen tonë. Ndodh që historia të rrjedhë më shpejt se sa të perceptohet dhe të shkruhet, orientimi i gabuar për shkak të zigzageve të historisë nuk është opsion për ne. Ndaj të kuptojmë mirë historinë e re që po shkruhet në rajonin tonë dhe në botën që po ndryshon me shpejtësi. Pikërisht në orientimin tonë të saktë në rrjedhat e reja besoj se i përgjigjet ky takim i sotëm, ky stacion i ndërmjetëm kodifikimi e qëndrimesh të reja në strategjinë e përbashkët, përafrimin dhe modernizimin e shoqërive tona. Marrëveshja mes dy Kuvendeve e nënshkruar në Shtator të vitit 2022 ka institucionalizuar bashkëpunimin tonë dhe u ka dhënë shtytje bashkëpunimit mes dy qeverive, institucioneve dhe afrimit të njerëzve tanë në dy anët e Morinës. Bashkëpunimi mes dy republikave shqiptare është reciprokisht strategjik. Kosova është prioritet kombëtar i Shqipërisë, Shqipëria është prioritet kombëtar i Kosovës.”
Për Spiropalin hapja e kapitujve të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe anëtarësimi i saj në këtë bashkësi është mëse e merituar, teksa e cilëson rrugëtimin e Shqipërisë si sfilitës dhe me plot zhgënjime. “Ne jemi të brengosur”, u shpreh kryeparlamentarja sa i takon statusit që Kosova nuk ka fituar ende në Bashkimin Europian.
“Shqipëria ka mbërritur në dyert e Bashkimit Europian pas një rrugëtimi sfilitës shpesh të mbushur dhe me zhgënjime e prapakthime. Si vendi kandidat me shpejtësinë më të madhe integruese Shqipëria është ai vend i rajonit i cili e ka merituar më shumë se çdo vend tjetër anëtarësimin në familjen tonë të natyrshme evropiane, anëtarësimi në Bashkimin Europian është objektivi ynë strategjik kombëtar. Motra dhe vëllezër samiti BE-Ballkani Perëndimor rikonfirmoi politikën për zgjerimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ne jemi të brengosur që Kosova nuk e ka fituar ende këtë status që sipas një gjykimi të përgjithshëm e ka merituar më herët.”
“Shqipëria ka mbështetur dhe do të vijojë të mbështesë pranimin e Kosovës në Këshillin e Europës. Ne besojmë se Republika e Kosovës i ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim dhe pranimi i saj si anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës është vetëm çështje kohe dhe do të ndodhë shpejt”, tha mes të tjerash kryeparlamentarja.
Gjatë fjalës së saj në Kuvendin e Kosovës, Spiropali i kushtoi një rëndësi të veçantë dhe tensioneve në veri të Kosovës. Ndërkohë që e cilëson NATO-n si organizatën e pazëvendësueshme të garancisë së Kosovës, ajo shtoi më tej se vendi ynë nuk toleron dalldirat e së shkuarës, apo të cilësuara sipas saj frymëzimet nacionaliste që kërkojnë ta mbajnë peng veriun e Kosovës.
“NATO është garancia e pazëvendësueshme e garancisë së Kosovës dhe gjithë botës ku ne përkasim. Ne ndjekim me shqetësim spiralen e destabilizimit që herë pas here nge krye si gjarpër i porsazgjuar në veriun e Kosovës. Ne mbështesim përpjekjet shumë planesh të qeverisë të Kosovës, të shtetit të Kosovës, të gjitha forcave dhe autoriteteve ligjzabtuese për garantimin e ligjit në çdo hapësirë të Republikës së Kosovës në partneritet të ngushte me partnerët tanë. Shqipëria i konsideron si akte dramatike dhe i dënon si dalldira të së shkuarës frymëzimet nacionaliste që kërkojnë ta mbajnë veriun e Kosovës si peng të maktheve që vijnë nga errësira e shekujve. Shqipëria dhe Kosova si dy republika shqiptare në rajon do të duhet të jenë të përqendruara në përpjekjet e tyre dhe duhet të jenë të koordinuara për garantimin e të drejtave të shqiptarëve në RMV, Mali të Zi, luginën e Preshevës e kudo.”/tvklan.al