Kosova iu drejtua kutive të votimit të dielën dhe zgjodhën deputetët që do ulen në Kuvendin e ri të Kosovës e kësisoj edhe për qeverinë e re. Por cila është rruga që ndiqet deri në formimin e qeverisë?
Po jua shpjegojmë hap pas hapi:
1.Fillimisht duhet të konstituohet Kuvendi i Kosovës brenda 30 ditëve pasi KQZ-ja të ketë certifikuar rezultatet përfundimtare. Bazuar zgjedhjeve të kaluara, KQZ-ja i ka certifikuar ato rreth një muaj pas ditës së votimeve.
2.Presidentja Vjosa Osmani duhet të thërrasë seancën për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit. Në rast se presidentja nuk e bën një gjë të tillë, Kuvendi mblidhet vetë.
3.Seanca e parë drejtohet nga deputeti më i vjetër dhe ai më i riu në sallë.
4.Atë ditë deputetët e sapobetuar zgjedhin kryetarin e Kuvendit, i cili propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe pesë nënkryetarët e kuvendit. Tre prej tyre propozohen nga tri grupet më të mëdha parlamentare, kurse dy nga komunitetet joshumicë.
5.Më pas legjislatura e sapoformuar ka detyrën e saj të parë, zgjedhjen e qeverisë së re të vendit. Qeverinë mund ta formojë vetëm partia ose koalicioni që ka fituar zgjedhjet.
6.Pak ditë pasi Kuvendi të jetë konstituuar, presidentja Osmani do të ftojë në konsultime partitë që janë në Kuvend, për të identifikuar shumicën parlamentare dhe për të nominuar kandidatin për kryeministër.
7.Kandidati që është nominuar për kryeministër nga presidentja brenda 15 ditëve duhet të paraqesë përbërjen e qeverisë së tij para deputetëve.
8.Në këtë seancë qeveria konsiderohet e zgjedhur vetëm nëse votohet prej së paku 61 deputetëve nga 120 sa janë gjithsej.
9.Nëse qeveria e propozuar dështon të marrë shumicën e votave të nevojshme presidentja brenda 10 ditëve fillon një raund të ri konsultimesh me partitë dhe nominon një kandidat të ri për kryeministër.
10.Përsëri Kuvendi duhet të votojë përbërjen e qeverisë së re. Nëse edhe kandidati i dytë dështon t’i marrë votat e shumicës për formimin e qeverisë presidentja lëshon dekretin për shpërndarjen e Kuvendit dhe shpall zgjedhjet e reja./tvklan.al