Nga Selaniku ku u takua me shqiptarë të diasporës, Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali, njëherazi bashkëdrejtuese politike e Partisë Socialiste në Tiranë ftoi emigrantët të ushtrojnë të drejtën e votës në parlamentaret e 11 Majit.

“Kësaj here pa qenë të detyruar të niseni me makinat tuaja apo me autobusë, por të votoni direkt nga shtëpitë tuaja ashtu siç e mendoni, ashtu siç e ndjeni. Regjistrohuni në listën e votimit.”

Votën e diapsorës e sheh si një borxh që sipas Spiropalit, socialistët kishin ndaj emigrantëve.

“Ne, socialistët ju kthyem një borxh të vonuar që politika ka pasur ndaj jush dhe kjo është vetëm një nga krenaritë e shumta që duam të ndajmë me njëri-tjetrin”.

Votën e kërkoi për një mandat të katërt qeverisës të socialistëve, teksa ironizoi kundërshtarët në kampin blu.

“Në 11 Maj ka vetëm 1 zgjedhje, votën për Edi Ramën dhe PS, se kur ne punojmë, kundërshtarët tanë zihen me gurë me njëri-tjetrin, se kur ne ndërtojmë vizione, ata hedhin molotovë, se kur ne flasim për projekte, ata projektojnë vetëm zi e vrer.”

Spiropali tha se qeveria e majtë nuk do të ndalet deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes së pensioneve me palën greke, ndërsa po punohet edhe për dhënien e lejeve të qëndrimit dhe procedurën e fitimit të shtetësisë me natyralizim.

Tv Klan