Me 186 kandidatë do të hyjë në garën e 11 Majit Partia Socialiste. Por si çdo listë edhe ajo mund të krijojë pakënaqësi pasi një pjesë e deputetëve aktualë u futën në listë të hapur dhe një pjesë tjetër nuk u futën fare. Por mesa duket mes socialistëve nuk ka hatërmbetje me kryeministrin Rama, cilidoqoftë vendimi për ta, për t’i lënë në listë të hapur, apo për t’i hequr fare nga gara.
Mërzitje nuk ka as mes atyre që janë lënë jashtë liste. Lavdrim Krashi është një ndër ta.
“Kjo është detyra ime për të qenë në parlament në 4 vite. Nuk e kam problem fare. Është puna e 15 që kam bërë në karrierën time profesionale. Nuk ka lidhje me individë kjo. Pas 4 vitesh në parlament largohem ballëlartë krejt krenar dhe faqebardhë mbi të gjitha”, tha ai.
Bujar Çela tha se pavarësisht se nuk do të jetë në listë do të kontribuojë për PS-në në terren.
“Do kontribuoj për 11 Majin. Pse do mërzitemi ne? Nuk kemi ardhur për vete, kemi ardhur si përfaqësues të komunitet që na ka votuar deri dje”, tha ai.
Edhe Nasip Naço nuk u shpreh i mërzitur. Përkundrazi sipas tij, vjen një ditë që duhet edhe të largohesh. Ai u shpreh se nuk i ka tashmë asnjë borxh Partisë Socialiste, e as ata atij.
“Unë e falenderoj zotin Rama që vuri kritere të forta që edhe ai që nuk e mendonte duhet ta kuptonte që vjen një ditë që duhet të ikësh. Çfarë ndodh me ju? Në Shtator do jem një avokat dhe ka nevojë ky vend, sidomos pas këtyre ngjarjeve. Unë ia kam kthyer borxhin PS. As më kanë borxh, as i kam borxh, jam qytetar i lirë. Dikush duhet ta kuptojë që vjen një moment që duhet të ikë. Ky vend ka nevojë edhe për brezin e ri”, tha ai.
Eduard Ndreca po ashtu u shpreh për gazetarët se do të bëjë të pamundurën që të fitojë lista e Partisë Socialiste.
Ndërsa Toni Gogu është një ndër emrat që do të jetë në listë të hapur.
“Shumë i lumtur dhe i privilegjuar. Është një garë shumë e fortë, por jam shumë i lumtur që më jepet mundësia që qytetarëve të Tiranës t’u shërbej atyre”, tha Gogu kur u pyet nga gazetarët në nisje të seancës në Kuvend. Kur u pyet për vendimin e Ramës, ai u shpreh se është “shumë mirënjohës dhe i privilegjuar”.
Një emër “big” në listën e hapur të Tiranës do të jetë edhe Pandeli Majko. Pyetjeve të gazetarëve socialisti iu përgjigj me një buzëqeshje të gjatë deri në dyert e Kuvendit. Por kur u pyet nëse i trembet garës tregoi me gisht që jo.
Arben Pëllumbi, një emër tjetër në Tiranë, do të luftojë për të qenë deputet mandatin e ardhshëm.
“Do të jetë një garë e fortë, por të kemi parasysh. Përtej emrit individual, të shikojmë trëndafilin. Nuk është një gjë që nuk e dinim, kemi muaj që e kemi vendosur. Nuk kishte ndonjë gjë surprizë”, u shpreh ai.
Ndërsa për Mimi Kodhelin është thjesht një sfidë e radhës.
“E kam sfiduar dhe herë tjetër unë, kështu e kam jetën me sfida”, tha ajo./tvklan.al