Në orën 09:00 më 13 Maj është caktuar seanca e radhës për çështjen e “Sterilizimit”. Mësohet se GJKKO ka marrë po ashtu vendimin që të pandehurve aktet t’u jepen pa pagesë.

Siç raporton gazetarja e Klan News Glidona Daci, Gjykata e Posaçme do i japë Beqajt dhe të pandehurve të tjerë aktet e dosjes së tyre. Sipas gjykatës, mbrojta mund t’i marrë 602 fashikujt në mënyrë elektronike. Jashë sallës Beqaj e konsideroi si të drejtë vendimin e gjykatës.

Kujtojmë se kërkesa e vazhdueshme e ish-ministrit Beqaj ishte kjo, që mos të paguante për fashikujt hetimorë. Ish-ministri rrezikon që të merret i pandehur nga SPAK për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Dyshohet se me veprimet dhe mosveprimet e tij i ka shkaktuar një dëm prej 8.7 miliardë Lekë buxhetit të shtetit.

Gjykata e Posaçme i ka caktuar masën e sigurimit “detyrim për t’u paraqitur” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”. Beqaj paraqitet në SPAK çdo të premte në orën 15:30.

Masat e sigurisë dhe akuzat për secilin nga ish-zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë:

-Klodjan Rjepaj: arrest me burg për “shpërdorim detyre”

-Ilir Rrapaj: arrest me burg për “mashtrim me pasoja të rënda”

-Saimir Kadiu: arrest shtëpie për “falsifikim dokumentesh” dhe “shpërdorim detyre”

-Marsela Serjana: arrest shtëpie për  falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre

-Arben Gjata: detyrim paraqitje për “falsifikim dokumentesh’ dhe “shpërdorim detyre”

-Naile Ajazi: detyrim paraqitje për “falsifikim dokumentesh” dhe ‘shpërdorim detyre”

-Genc Byrazeri: detyrim paraqitje për “falsifikim dokumentesh” dhe  “shpërdorim detyre”

-Petri Mersini: detyrim paraqitje për “falsifikim dokumentesh” dhe “shpërdorim detyre”

/tvklan.al