Cili ka qenë roli i Arioli Halilajt në atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoj?

Sipas prokurorisë, Arioli ka shkuar në Shkafanë të Durrësit, për të marrë autorët e atentatit për të humbur gjurmët. Ai ka shkuar sipas prokurorisë me një makinë tip Honda.

Por sipas ekspertit kriminalist Vladimir Ikonomi, ish-Drejtor i Institutit të Policisë Shkencore dhe profesor i Kriminalistikës për disa vite, nuk ka elementë identifikues të automjetit Honda, targës dhe personit, që drejton mjetin në pamjet e prokurorisë.

“Nga ana jonë janë kryer edhe dy ekzaminime kriminalistike në lidhje me vlerësimin e fotove që shoqërojnë procesverbalin e këqyrjes. Nga vlerësimi që është bërë i këtyre ne kemi bërë vlerësimin në pamje të përgjithshme dhe të veçanta dhe konstatojmë se automjeti që pasqyrohet në foto nuk pasqyron karakteristika të veçanta teknike për të bërë të mundur identifikimin konkret të këtij mjeti. Edhe në kamera nga ekzaminimi jonë që është bërë edhe me programe të licencuara, të specializuara rezulton që nuk identifikohet mjeti në tërësi dhe aq më tepër mjeti nëpërmjet targës”, tha ai.

Gjithashtu sipas dosjes, Arioli ka përshkruar për 20 minuta këtë itinerar, që përshkohet për 36 minuta.

“Nuk është bërë asnjë lloj eksperimenti hetimor, nuk është bërë asnjë akt ekspertimi që të vërtetojë këto prova por është mjaftuar thjesht me një dyshim dhe informacion policor dhe është marrë, është arrestuar klienti që unë përfaqësoj”, shprehet avokati Llangozi.

Një dëshmitar në vendin e ngjarjes flet për persona me trupa mesatarë e të dobët, ndërsa Arioli është fizik i bëshëm.

Kujtojmë se për këtë ngjarje Halilaj është dënuar nga Shkalla e Parë e Gjykatës së Posaçme me 35 vite burgim./tvklan.al