Protesta e fermerëve: hedhin mollët e derdhin qumshtin në rrugë.

Kreu demokrat Lulzim Basha ishte në Peshkopi, ngaku ftoi banorët e këtij qyteti, që t’i bashkohen në Tiranë në protestën e 16 shkurtit. Fermerë e tregtarë ngritën zërin për mungesën e fuqisë blerëse. Madje disa prej tyre hodhën në rrugë mollët, që sipas tyre, nuk po u shiten as me cmim simbolik.Edhe fermerë nga Devolli kanë hedhur mollët, pasi nuk u shiten. Fermerët e Lushnjes e Fierit derdhën në rrugë qumshtin, në shenjë proteste ndaj hyrjes në fuqi të TVSH-së në 1 janar.Në parlament u betuan sot edhe 7 deputetë të rinj opozitarë, mes të cilëve edhe Lefter Maliqi. Ky i fundit tha, se lëvizja e deputetëve majtas e djathtas ka ndodhur dhe është duartrokitur gjithmonë.

Manovra e avokatit, transferon klientin në Fier, fiton gjyqin e dëmshpërblimit.

Emisioni “Stop” në Tv Klan mbrëmjen e sotme trajtoi rastin e një punëtori në Pogradec që pësoi aksident në punë dhe që dyshohet se ka rënë viktimë e një skeme makinacioni për të përfituar dëmshpërblim të majmë në gjykatë. Aleko Beqiri, banor i Pogradecit u aksidentua në vendin e punës në vitin 2017. Ai punonte në një fabrikë që prodhon karrige.

Aleko Beqiri përdori ashensorin e objekteve dhe jo atë për punonjësit, e për pasojë theu këmbën pasi u këputën kavot. Punëtori Beqiri u trajtua me të gjithë shërbimet mjekësore pasi ishte i siguruar në punë. Punishtja u kujdes për gjithçka dhe Aleko Beqiri u rikuperua plotësisht. Por, çështja përfundoi në gjykatë, pasi punëtori kërkoi dëmshpërblim. Këtu nisin dyshimet për një skemë të organizuar, sepse çështja transferohet në Gjykatën e Fierit dhe nuk zhvillohet në Pogradec.

Avokati Ardian Dauti e transferoi gjendjen civile të Alekos në Fier, ku kishte njohjet e veta brenda sistemit të drejtësisë; gjyqtarin Roland Hysi dhe psikologen Elona Meçani. Deri tani në dy shkallët e para të gjyqësorit Aleko Beqiri ka fitur të drejtën e dëmshpërblimit në vlerën e 150 milionë Lekëve të vjetra, ndërsa pritet vendimi i Gjykatës së Lartë.

Edmond Çuni, pronari i punishtes: Në vitin 2017 ka ndodhur një aksident. Është këputur kavo e ashensorit, punëtorin e kishim të siguruar, edhe me firmën e sigurimit teknik. Ka pasur një thyetje të këmbës, e kemi dërguar në spitalin e Pogradecit, pastaj e kemi dërguar në Tiranë. I është bërë rikuperimi i këmbës, është bërë shërimi i plotë i tij. Ndërkohë ne e kemi ndjekur këtu duke i dhënë rrogën disa muaj. Ai bëri shkeljen e rregullave. Pra shkeli rregullat duke pasur parasysh që aty nuk lejohej të hipnin njerëzit. Ai ashensor përdorej vetëm për mall, vetëm për karriket. Ndoshta e ka këputur vetë, nuk e di.

Gazetari i “Stop” i cili udhëtoi drejt Pogradecit, bisedoi edhe me punëtorin Aleko Beqiri, që kishte pësuar aksidentin në punë.

Aleko Beqiri: Isha në fshatin Guras dhe po zbrisja te ashensori, u këput kavo rashë me gjithë ashensor dhe theva këmbën. Gjykatat për mua kanë dhënë, por presim tjetrin. Unë kam dy vjet, çfarë do hanë fëmijët. Presim Gjykatën e Lartë. Më shumë thashë mos vete andej, mos ka punë për gruan. Pastaj e pashë, terezi nuk kishte.

Gazetari: Po gjyqet ku i keni zhvilluar?

Aleko Beqiri: Një e bëmë në Fier, një e bëmë në Vlorë.

Gazetari: Çfarë etapa ke ndjekur në Gjykatën e Pogradecit dhe të Korçës?

Aleko Beqiri: Të parën e fitova. Edhe të Apelit e fitova.

Gazetari: Këtu në Pogradec dhe në Korçë?

Aleko Beqiri: Po.

Gazetari: Si avokat përfaqësues kush ju ka ndjekur gjithë këto kohë?

Aleko Beqiri: Ardian Dauti.

Pronari i punishtes së karrigeve dyshon se e gjithë situata është krijuar nga avokati Ardian Dauti, i cili ka njohjet e tij në Gjykatën e Fierit. Për këtë arsye i kërkoi klientit Aleko Beqiri që të transferojë gjendjen civile në Fier për t’u zhvilluar aty gjyqi. Dhe njohjet e tij në sistemin e drejtësisë, do të bënin që dëmshpërblim të caktohej një shumë e madhe, që më pas do të ndahej mes tyre.

Edmond Çuni, pronari i punishtes: Ka ikur në Fier për përfitim, duke u lidhur me avokatin Ardian Dauti, duke u marrë vesh sepse ky, kemi marrë vesh nga burime të ndryshme, që merret vetë me këtë punë me këto raste të tilla, duke i marrë njerëzit nga qytete të ndryshme dhe i çon në Fier, në Vlorë, në Berat, sepse atje ka njohjet e tij. Edhe këtë çështje e ka ndjekur Roland Hysi, ka qenë edhe ekspertja Elona Meçani psikologia. Z.Hysi në fund të gjithë procesit vendosi, këta e nisën me 50 milionë Lekë të vjetra, e vazhduan me 250 dhe si përfundim e lanë diku te 183 milionëshi të vjetra për të paguar ne. Kjo çështje kaloi në Apel në Vlorë. Apeli Vlorë po përsëri e la në fuqi.

Por emisioni “Stop” ka mësuar se Aleko Beqiri nuk ka jetuar asnjë ditë në Fier dhe as fëmijët e tij nuk janë shkëputur nga shkolla në Buçimas. Gazetari i “Stop” u interesua pranë këtyre dy institucioneve.

Gjendja civile Buçimas: Nga Buçimasi në Fier ka shkuar nga 28.09.2017. Pastaj këtu ka ardhur në Nëntor 2018, 23 Nëntor 2018. Kur ka ardhur shkresa nga Krimet e Rënda, s’kishte ardhur akoma këtu.

Laert Rusi, drejtor i shkollës “Sami Zgjani”: Këta nxënës, për vitet që ju kërkoni janë të regjistruar në shkollën tonë dhe kanë ndjekur procesin mësimor pa shkëputje. K.Beqiri vazhdon klasën e 4-t momentalisht dhe në ato vite ka qenë në klasën e dytë, dhe P.Beqiri është në klasën e 7-të dhe momentalisht i bie që në ato vite të ketë qenë në klasën e 5-të. Gjatë kësaj periudhe këta nxënës kanë qenë pjesë e procesit mësimor që kanë ndjekur në institucionin e shkollës 9-vjeçare “Sami Zgjani”.

Nga ana tjetër, vetë Aleko Beqiri dhe bashkëshortja e tij pohojnë se gjithçka është sajuar nga avokati Ardian Dauti, i cili u ka kërkuar atyre më shumë se gjysmat e parave të dëmshpërblimit që do të marrë me vendim gjykate.

Gazetari: Gjithë procedurën e transferimit e ka bërë avokati, z.Dauti?

Aleko Beqiri: Do të ndihmoj tha ai meqë nuk lëvizja dot.

Gazetari: Ai e ka bërë kërkesën edhe në Gjendjen Civile në Fier? Të gjitha procedurat?

Aleko Beqiri: Ai se unë nuk lëvizja dot prej këmbës. E kisha me allçi 6 muaj.

Gazetari: Se i kanë verifikuar në Fier, atje te 15 tetori, ku ke qenë, që ke bërë kontratën, ia sqarova atij burrit, nuk ka jetuar asnjëherë thotë, këtu.

Gruaja e Aleko Beqirit: Po ç’rëndësi ka?! Unë a e kam aksidentin?

Gazetari: Epo ka, por është bërë…

Gruaja e Aleko Beqirit: Unë s’është, se s’shkoj për kot.

Gazetari: Është transferuar çështja në një qytet tjetër, që s’i takonte këtij vendi.

Gruaja e Aleko Beqirit: Po nga e keqja e transferoi ai, se kishte njerëzit e tij.

Gazetari: E kuptoj unë, por…

Aleko Beqiri: Tani si do veni?

Gazetari: Është bërë dallavere, pra. Po më mirë duhet ta pranosh, o vëlla! U bë, kështu, më tha avokati, më tha dhe unë…

Gruaja e Aleko Beqirit: Po shumë mirë e ke…kishte njerëzit e tij ai atje edhe… Më kupton?

Gazetari: Më thuaj të drejtën tani! Sa lekë do merrte Dauti nga ty? Se ai e ka një çikë të rëndë dorën.

Gruaja e Aleko Beqirit: Nuk e di!

Gazetari: 50% ëëë?

Aleko Beqiri: Tashi lëre, mos…

Gazetari: Kot mo kot, se i di unë rastet e atij. Sa? 50% të shumës? Ë? A më shumë?

Gruaja e Aleko Beqirit: E më shumë!

Çështja tashmë është në Gjykatën e Lartë dhe pritet vendimi përfundimtar. Nga investigimi i “Stop” dhe kamerat e fshehta duket qartë se bëhet fjalë për një skemë të ndërtuar nga avokati me qëllim përfitimin e dëmshpërblimit në shifra të larta përmes vendimeve të favorizuara gjyqësore.

Skandali, shkarkohet nga hipoteka, emërohet në shkelje auditues te mjekësia.

Një vit më parë, në Prill 2018, “Stop” transmetoi problematikën me ish kreun e hipotekës së Pogradecit, Majlind Shkira, i cili pak ditë më vonë u shkarkua me vendim të formës së prerë. Por së fundi emisioni “Stop” ka mësuar se Shkira është katapultuar si auditues në Universitetin e Mjekësisë me disa shkelje: pa konkurrim, i shkarkuar më parë dhe pa 3 vjet eksperiencë në këtë detyrë, siç e kërkon ligji.

Problemi është që ne i kemi dorëzuar dokumentet në Hipotekë…dhe nuk kemi asnjë përgjigje…

Qytetari 1 – Nuk je për atë punë ti, se të ishe për atë punë, kishe mbaruar punë. Ke tre muaj, për tre muaj duhet të kishe mbaruar të gjitha këto dosjet.

Majlind Shkira – Ok! Në bazë të aplikimit dhe të kërkesës që keni paraqitur tani, po ia jap specialistit, të nxjerrë dosjen, ta verifikojë dhe të kthejë përgjigje.

Qytetari 1 – Për sa kohë more zotëri? Se kur e bën kërkesën, më thoni për dy javë e ke në shtëpi. A është kështu ligji? A thotë ligji për dy javë e ke në shtëpi, për 20 ditë, sa është?

Qytetari 2 – Jepini ju drejtim dhe më thoni kur të vij ta marr unë certifikatën, kaq!

Majlind Shkira – Shumë shpejt! Shumë shpejt do të vijë me postë.

Qytetari 2 – Kur shumë shpejt, se ka që në Janar? Katër muaj, afatet nuk zbatohen, jo e jo!

Majlind Shkira – E di sa… sa ke ti, katër muaj? Unë kam praktika që kanë nga 22 vjet, si është ai me 22 vjet përpara teje?

Qytetari 2 – Ore s’më intereson mua se ça është ai, mua më intereson kjo: Është kaq, një muaj e dua që të më shërbejë.

Majlind Shkira – Meqënse nuk të intereson, do të shërbejmë brenda…shumë shpejt do të njoftojmë ne me postë.

Qytetari 2 – E ka drejtori, për të firmosur”, urdhëro, s’e ke, hë pra? Ja kjo është përgjigja.

Majlind Shkira – Në rregull, a e deshe përgjigjen? Ja, e more përgjigjen që drejtori nuk e ka në tavolinë. Nuk kam asnjë lloj interesi të pengoj praktikën e dikujt. Dua që çdo punë ta mbarojmë sa më shpejt. Në lidhje me rastin tuaj ja kam lënë specialistëve që të bëjnë verifikimet dhe ta kontrollojnë tamam.

Qytetarja 3 – Specialisti më thotë e kam mbyllur…

Majlind Shkira –Shikon ndonjë gjë në tavolinën time…?

Qytetarja 3 – Më vjen keq se specialisti më thotë që dosja është gati, e firmosur nga juristja, nga specialisti nga të tërë, më vjen keq! U bë tre muaj që nuk po e firmos, më thuaj ku të pengon puna? Që edhe unë të di që më mungon ky dokument.

Madje një qytetar arriti deri aty sa i theu xhamin e zyrës për këtë motiv. Pak ditë më vonë, Majlind Shkira shkarkohet si drejtor i Hipotekës. Ai u emërua si auditues në Universitetin e Mjekësisë.

Prej ditësh gazetarja është drejtuar në të gjitha hallkat e universitetit në fjalë, por përgjigja është shtyrë pa ardhur kurrë. Përgjigje premtoi edhe kryetarja e Bordit të Administrimit Adriana Berberi, por sërish nuk u bë transparencë mbi emërimin e Majlind Shkirës. Vetë Shkira tha, se plotëson kriteret, por do të vendosë mbledhja e bordit.

Që të emërohesh si auditues ka një procedurë ligjore që duhet të ndiqet. Plotësimi i disa kritereve, tre vite eksperiencë punë në këtë sekotor, Cv e pastër dhe e pasur. Por çfarë procedure ligjore u ndoq për këtë emërim?

Po fakti që Majlind Shkira ishte drejtues i Hipotekës së Pogradecit dhe është shkarkuar për shpërdorim detyre me vendim gjykate të formës së prerë, a e penalizon? Gazetarja i është drejtuar Universitet të Mjekësie dhe konkretisht Bordit të Administrimit me një shkresë tek protokollit

Gazetarja- Përshëndetje si jen? Unë jam gazetarë nga emisioni “Stop”.

Kryetarja e Bordit të Administrimit- Mirë, si jeni juve?

Gazetarja-Ka ardhur një denoncim përsa i përket emërimit të audituesit të ri Majlind Shkira. Jemi drejtuar dhe me shkresë.

Kryetarja e Bordit të Administrimit-Po, të njoh! Urdhëro,si jeni?

Kryetarja e Bordit të Administrimit-E di, që jeni drejtuar shkresërisht, edhe sigurisht që kam dhënë porosi, do t’i japim të gjithë përgjigjet e nevojshme, ashtu siç i keni kërkuar dhe pastaj, po të keni nevojë edhe për sqarime të drejtpërdrejta, patjetër që do të jemi të gatshëm, që t’jua japim!Deri të hënën, do të keni përgjigjen tonë, përsa keni kërkuar për rastin konkret. Asnjë gjë dhe punë të mbarë!

Gazetarja ka shkuar për të marrë një përgjigje, por nuk kishte asnjë kthim përgjigje për shkresën e dërguar.

Më pas gazetarja shkoi në mbledhjen e bordit të administrimit.

Gazetarja- Kemi ardhur për rastin e audituesit Majlind Shkira.

Kryetarja e Bordit të Administrimit-Tani, ti do që ta bëjmë me kamera, apo pa kamera?

Gazetarja-Po! Çfarë dokumentacioni? Ku është konkursi? Ku është eksperienca 3 vjeçare që ka , se unë kam vetëm CV-në e tij, domethënë…

Kryetarja e Bordit të Administrimit-Ke bërë 3 pyetje!

Gazetarja-Po!

Kryetarja e Bordit të Administrimit-Për secilën nga pikat, do të kesh përgjigjen. Të gjitha moj zemra ime, sepse nuk kemi bërë gjëra, që të mos i bëjmë transparente. Këtë mbledhjen e bordit, po e bëjmë, që të draftojmë përgjigjen e shkresës suaj edhe t’jua sjellim.

Gazetarja-Po mirë, unë po pres, çfarë do të vendoset!

Më pas gazetarja, pyeti dhe zotin Shkira lidhur me emërimin e tij.

Gazetarja-Odeta, gazetare nga emisioni “Stop”. Jeni emëruar si auditues në Universitetin e Mjekësisë. I jeni nënshtruar konkursit?

Majlind Shkira- Me patjetër!

Gazetarja-Me patjetër? E keni eksperiencën 3-vjeçare, sepse unë kam informacion, që jo?

Majlind Shkira-Në bazë të kërkesës, që keni paraqitur, Bordi do t’ju paraqesë shpjegimet e nevojshme.

Gazetarja–Ok, unë e kuptoj Bordin, por juve? Zoti Shkira, a nuk ju penalizon fakti, që jeni shkarkuar si ish-regjistrues?

“Pas më shumë se një jave interesimin nga ana e “Stop”, gazetarja nuk ka marrë asnjë përgjigje dhe kjo do të thotë se zoti Shkira nuk plotëson kriteret për të qenë auditues. Heshtja e Universitetit është veçse qëndrimi që mban ky institucion për rastin në fjalë, por emisionin “Stop” do të rrijë në pritje të një përgjigjeje”.