Divorce “alla shqiptare”, nënat nuk takojnë dot fëmijët e tyre.
Xhevahire Mehmeti nga Peqini tregon se ka qenë e martuar prej 11 vitesh, martesë nga e cila erdhën në jetë 3 vajza. Xhevahirja u divorcua nga i shoqi dhe gjykata ia njohu kujdestarinë bashkëshortit. Prej shumë kohësh, ajo nuk i sheh vajzat, për shkak se gjykata nuk zbardh vendimin.
“Unë Xhevahire Mehmeti. Prej 11 vitesh e martuar, kam sjellë në jetë 3 vajza. Marrëdhënia jonë nuk shkoi shumë mirë, arritëm drejt divorcit. Gjykata në të dyja rastet ia dha babait për rritje e edukim. Si nënë, më lind e drejta t’i takoj 1 herë në javë, edhe çdo festë, ditëlindje në muajt i kam për to. Por një muaj e gjysmë që ka marrë formë të prerë, unë nuk i takoj fëmijët e mi, sepse nuk më japin vendimin e Shkallës së Apelit”.
Zonja Mehmeti nuk e di arsyen se përse nuk i jepet vendimi. Ajo thotë se vendimin duhet t’ia çojë përmbaruesit siç janë rregullat dhe siç ka vendosur gjykata dhe të takojë fëmijët e saj.
Ajo thotë se fëmijët nuk i takon prej 2 vitesh dhe se i ka marrë malli për to.
Gazetarja e “Stop” i drejtohet Gjykatës së Apelit të Durrësit dhe arrin të sigurojë zbardhjen e vendimit.
Një tjetër qytetare nga Roskoveci i është drejtuar emisionit “Stop”, pasi ka 3 muaj që nuk sheh fëmijët. Vendimi i gjykatës pas divorcit shprehet se vajza do të jetojë me nënën, e djali me babain. Por Zyra përmbarimore Fier nuk ekzekuton vendimin e gjykatës e për pasojë nëna nuk sheh fëmijët e saj.
“Jam nënë e dy fëmijëve, jam e divorcuar prej 3 muajsh. Kërkoj takimin e fëmijëve pasi gjykata ka vendosur që djali t’i shkojë babait dhe vajza nënës. Kam 3 muaj që nuk i takoj. Vajzën e kisha në shkollë dhe babai erdhi dhe e mori fëmijën me forcë. Me vendimin e gjykatës jam drejtuar në Zyrën e Përmbarimit. Përmbaruesi më thotë që nuk mundemi të veprojmë me forcë ndaj fëmijës. Unë dua takimin e fëmijës, dua praninë e fëmijës, nuk po gjej zgjidhje”.
Gazetarja e Stop iu drejtua Zyrës së Përmbarimit.
Përmbaruesi: Është regjistruar dosja më 22.1.2019. Objekti është bërë “për marrje të kujdestarisë së vajzës”, sepse të dy fëmijët i ka ai.
Përmbaruesi: Zyra e Përmbarimit ka lënë datë pasnesër prapë. Urdhëro! Të vini dhe ju dhe të shikoni situatën!
Gazetarja e Stop udhëtoi drejt fshatit Velmisht në Roskovec, në banesën e babait aty ku janë fëmijët. Bashkë me të shkoi edhe përmbaruesi, 2 punonjës socialë të Bashkisë Roskovec dhe komisariatit të Roskovecit, që të bënin ekzekutimin e vendimit të gjykatës, por kjo nuk qe e mundur. Punonjësit socialë të Bashkisë së Roskovecit thonë se fëmija është i rënduar emocionalisht dhe i takon mamasë të pajtojë psikolog, për të bërë të mundur ndryshimin e situatës.
Përmbaruesi: Sot kërkojmë të bëhet ekzekutimi i vendimit të gjykatës. Nga konstatimet më parë, është bërë, që fëmija është në gjendje jo të mirë shëndetësore, prandaj kemi asistencën e dy psikologëve (2 punonjës socialë nga Bashkia Roskovec).
Përmbaruesi: Këtyre të dyve, do t’u mundësosh takimin me vajzën. Puna është e juaja tani, ne jemi gati!
Punonjësi social i Bashkisë Roskovec: Vajza filloi duke qarë. Për momentin sot nuk mund të kryhet ekzekutimi i këtij vendimi. Zonja mund të kontaktojë me një psikologe dhe të bëjë takime të vazhdueshme. Të bëjë psikologia një plan takimesh, apo si do të veprojë.
Kolonjë, dy kunguj nën një sqetull, zyrtarë bashkie dhe master në Tiranë.
Emisioni “Stop” në Tv Klan ka marrë denoncime se dy punonjës të Bashkisë së Kolonjës, krahas punës ndjekin njëkohësisht me kohë të plotë edhe studimet Master në Tiranë. Rasti konkret është për Igli Radomin, drejtor i Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve në Kolonjë dhe për Anjeza Koninin, specialiste në Bashkinë e Kolonjës në sektorin për mbrojtjen e fëmijëve. Dy punonjësit ndjekin studimet Master në Tiranë, njëri në Universitetin Polis dhe tjetrin në Universitetin Europian të Tiranës.
Emisioni “Stop” u interesua pranë këtyre dy Universiteteve dhe të dyja institucionet arsimore konfirmuan me shkresë zyrtare se dy nëpunësit e Bashkisë së Kolonjës janë studentë të tyre. Igli Radomi dhe Anjeza Konini ndjekin studimet tre herë në javë. Për të shkuar nga Kolonja në Tiranë duhet të paktën 4 orë udhëtim. Pyetja është si ndjekin studimet dhe punojnë njëkohësisht?
Gazetarja e emisionit “Stop” udhëtoi për 4 orë drejt Kolonjës. Aty u interesua pranë Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve dhe i thanë se drejtori i ujësjellësit është në takim me kryetarin e Bashkisë, ndërkohë që ky i fundit ishte në Elbasan!
Punonjësi: S’jam sot, jam në një takim me kryetarin e bashkisë thotë, nesër!
Bashkia Kolonjë
Gazetarja: Ku është kryetari?
Punonjësi: Kryetari në Elbasan.
Më pas gazetarja u interesua pranë Bashkisë së Kolonjës, aty ku punon specialistja Anjeza Konini. Për Anjezën thanë se është në trajnim 3 ditor.
Gazetarja: Anjeza Konini?
Punonjësja: Anjeza është në trajnim, në Tiranë 3 ditor.
Gaetarja: 3-ditor, të mërkurë, të enjte, të premte?
Punonjësja: Po!
Kurse nënkryetari i Bashkisë së Kolonjës, Jorgji Qiriazi tha për mikrofonin e emisionit “Stop” se nuk ka dijeni që këta dy punonjës ndjekin studimet Master. Ai pranoi se drejtori Igli Radomi dhe specialistja Anjeza Konini kanë marrë leje, por sipas tij u janë dhënë për arsye familjare apo probleme shëndetësore.
Nënkryetari i Bashkisë Kolonjë, Jorgji Qiriazi: Është e vërtetë që dy punonjësit që përmendët janë punonjës të Bashkisë së Kolonjës . Njëri është në rolin e administratorit të Sh.a Ujësjellës Kanalizimeve Kolonjë. Punonjësja tjetër Anjeza Konini është punonjësja jonë në seksionin e ndihmës ekonomike në sektorin për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Për këtë që ju thoni, nëse këta vijojnë një Master profesional a shkencor me kohë të plotë, unë personalisht nuk di gjë. Në dijeninë time dhe në diskutimet që kemi bërë nuk kam dijeni nëse këta vazhdojnë apo jo një Master. Në cilësinë e nënkryetarit po dhe në bashkëpunim me kryetarin unë di që këta punonjës vijojnë punën rregullisht. Për arsye personale, familjare, shëndetësore, përveç lejes së zakonshme ka qëlluar që ne mund të kemi dhënë edhe leje provizore, jo për Master ose ndonjë punë tjetër personale, por thjesht për probleme familjare, shëndetësore. Ajo që unë di të them është që nuk kemi dijeni nëse këta ndjekin një Master me kohë të plotë sikurse ju thoni.
Kurse avokatja Eda Grimçi shpjegon se dy nëpunësit nuk mund të jenë në këto pozicione pa pasur fillimisht Master. Nga ana tjetër, është e pamundur që punëdhënësi të mos e dijë një gjë të tillë. Si konkluzion jemi në kushtet e shpërdorimit të detyrës nga drejtuesi i institucionit.
Avokatja Eda Grimçi: Një punonjës i cili ka statusin e drejtorit, pra qenka pa Master. Sepse është kriter që për të pasur një pozicion të tillë në administratë shtetërore, sidomos në pozicionin e drejtorit, në asnjë rast nuk mund të jetë një punonjës i cili nuk ka minimalisht të dyja nivelet e arsimit, pra Bachelor dhe Master. Dy punonjës të administratës shtetërore marrin dy apo tre herë në javë leje për çështje private, personale apo shëndetësore dhe frekuentojnë universitetin me kohë të plotë. Ne kemi një VKM të posaçme e cila në rastet e dhënies së diplomës, Doktoraturës merren 10 ditë leje nga punëdhënësi për të vajtur dhe për të ushtruar këtë të drejtë. Nuk ka në asnjë rast asnjë bazë ligjore apo VKM për ata që ndjekin studimet Master me kohë të plotë të cilët janë të punësuar në administratë dhe ndërkohë lenë punën e tyre pa bërë duke u paguar me kohë të plotë dhe vazhdojnë ndjekin shkollën. Kjo është e pamundur. Këtu jemi në kushtet e shpërdorimit të detyrës nga ana e punëdhënësit, i cili është në dijeni të plotë se është e pamundur që punëdhënësi të mos jetë në dijeni të këtij fakti, duke u dhënë leje për çështje personale tre ditë të plotë në javë që këta të ndjekin studimet.
Shpenzoi 3 vjet dhe 4 500 euro, por nuk pajiset me diplomë Universiteti.
Merita Lika, studente e infermierisë në “Albanian University”, ishte në prag të diplomimit kur i thanë nga universiteti, që kjo nuk është e mundur, pasi nuk është pajisur me numër matrikullimi për shkak të mesatares së ulët të gjimnazit. Ajo ka paguar 4 500 euro për 3 vjet, por tani këto para kanë shkuar dëm.
“Vij nga shkolla e mesme, regjistrohem në ‘Albanian University’, me një mesatare 6.15, vazhdoj për 3 vite në këtë universitet për Infermieri të Përgjithshme dhe tani në fund të 3 viteve, në 2 muajt e fundit më kanë nxjerrë që ti nuk ke një numër matrikulli dhe ti nuk ke një mesatare nga shkolla e mesme. Unë kam paguar nga 1 500 euro viti, me një sakrificë shumë të madhe nga familja ime, bëra takim me dekanen dhe më thonë se ti nuk e merr, nuk mund ta marrësh si studente. Ti nuk e merr, nuk e merr si shkollë në fund të 3 viteve, sepse ti nuk ke një mesatare, nuk mundemi që ti të matrikulohesh, me këtë mesatare.”
Nga universiteti i kanë ofruar mundësinë e pajisjes me diplomën “laborant dentar”, madje i kanë ofruar edhe punësim, por Merita nuk ka njohuri mbi këtë degë.
“Më dhanë si opsion që të diplomohesha si laborante dentare dhe të punoja këtu si laborante dentare nga 450 mijë lekë në muaj, por në lidhje me këtë profesion nuk kam bërë asnjë lëndë.”
Gazetarja e emisionit “Stop” iu drejtua “Albanian University” me një shkresë zyrtare, në përgjigje të së cilës thuhet se Merita Lika është regjistruar në vitin 2016 pranë këtij universiteti për Infermieri në degën Bachelor, por nuk mund t’i jepet diploma pasi në kontakte që kanë pasur nga viti 2017 me Qendrën e Shërbimeve Arsimore, i është mohuar pajisja me numër matrikulli për shkak të mesatares së ulët të gjimnazit. Por kjo gjë nuk i është komunikuar dhe “Albanian University” ka firmosur kontratën edhe për vitin 2018-2019, duke i marrë kështu edhe pagesën.
Eksperti i arsimit, Albano Zhapaj thotë se Merita Lika nuk ka pasur të drejtën të studiojë në universitet për shkak të notave të ulëta të gjimnazit. Universiteti e ka bërë këtë në shkelje dhe sot pasojat financiare bien mbi studenten, që nuk pajiset dot me diplomë.
“Në bazë të informacionit që më keni vënë në dispozicion unë konstatoj se në vitin 2016 studentja X është regjistruar në universitetin Y. është regjistruar jo në bazë të sistemit meritë-preferencë, por është regjistruar privatisht tek universiteti. Pra që këtu ka diçka që nuk shkon. Mesatarja e gjimnazit është 6.15, ndërkohë që 4 provimet e maturës shtetërore janë 5. Me një vendim të Këshillit të Ministrave të vitit 2016, asnjë maturant me mesatare poshtë notës 6 nuk do mund të hynte në Universitet. QSHA i ka kthyer përgjigje universitetit duke i thënë se studentja X nuk mund të regjistrohet, pasi nuk gjendet në database-n e përgjithshme që disponon ministria si nxënëse me mesatare mbi 6, pra ti nuk mund ta regjistrosh. Pra në këtë moment, kjo vajzë duhej çregjistruar nga universiteti dhe i duhej bërë me dije. Universiteti duhej që menjëherë të kishte ndërprerë marrëdhëniet akademike dhe financiare.”