Drejtësia e pasur shqiptare dhe shitja e cështjeve gjyqësore.
Në Shqipëri ka filluar dhe është në proces vetingu i njerëzve të drejtësisë, Renaldo ka realizuar intervista me humor me qytetarët, lidhur me pasurinë e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Shumë qytetarë të thjeshtë shprehen, se sistemi i drejtësisë është i përbërë nga zyrtarë, që kanë ngritur superpasuri me gjakun e popullit e duke shitur procese gjyqësore.
Burrel, materniteti pa gjinekolog merret në patronazh nga “Koco Glozheni”.
Në Janar të vitit 2017 emisioni “Stop” udhëtoi drejt Burrelit, pasi spitali “Xhavit Mara” kishte 6 muaj pa mjek gjinekolog. Që nga 1 Gushti 2016, vendlindja e banorëve më të rinj të Burrelit është Tirana ose Lezha.
Drejtori Dritan Leli tha se Ministria e Shëndetësisë ishte vënë në dijeni për mungesën e mjekut obstetër/gjinekolog, por nuk ishte gjetur ende një zgjidhje.
“Drejtoria jonë ka marrë të gjitha masat, duke kontaktuar me shkresa zyrtare me Ministrinë, duke njoftuar për të gjithë problematikën dhe jemi përpjekur vetë, duke kontaktuar mjekë të ndryshëm, por deri në këtë moment nuk kemi patur një reagim pozitiv.”
Përsa i përket riskut të pacientëve që duhet të udhëtojnë drejt Lezhës apo Tiranës për t’u ekzaminuar, ai u shpreh se banorët e Burrelit janë vënë në dijeni nëpërmjet televizionit lokal që të marrin masa paraprake sepse spitali nuk ka mjekun obstetër.
Drejtori Leli asokohe i bëri thirrje të gjithë mjekëve që të bëheshin humanë dhe të ndihmonin spitalin, duke iu premtuar kushtet më të mira të bashkëpunimit deri në gjetjen e një mjeku stabël.
Gazetarja e emisionit “Stop” u rikthye në muajin Tetor të vitit 2017 në Burrel për të parë nëse shqetësimi do të ishte zgjidhur dhe spitali “Xhavit Mara” do të kishte një mjek obstetër/gjinekolog.
Kryeinfermierja Eglantina Bushi tregoi se spitali prej disa kohësh e kishte një mjeke obstetre dhe disa mami, të cilat ofrojnë shërbimin në sallën e lindjes vetëm kur janë raste emergjente, pasi mjekja nuk pranon lindjen për shkak të kushteve të spitalit.
“Doktoresha nuk ka preferuar të bëjë operacione apo lindje për arsyet që i ka thënë vetë…”, tha kryeinfermierja e maternitetit.
Këtë e pohoi edhe shefi i spitalit, Selam Duka, i cili tha se mjekja obstetre, Tatjana Milo, kishte ardhur nga Ministria e Shëndetësisë dhe listoi pretendimet e saj.
“E para: ‘Unë lindjet i pres pa asnjë problem, ndërsa lindjet që mund të kenë peripeci nuk pres asnjë. Dua mjek tjetër obstetër, që të jemi dy veta, dua një mjek neonat, që përgjigjet për fëmijën pasi lind. Dua dhe sallën e operacionit gati se mund të na ndodhë çdo gjë. E dyta: ajo nuk ka marrë përsipër shërbimin 24 orësh në rrethin e Matit, pasi pas orës 16:00 ajo shkon në shtëpi në Tiranë. Kështu që në pothuajse jemi të pambuluar, 16 orë plus të shtuna dhe të diela.”
Duka u shpreh se spitali nuk mund të qëndrojë pa mjek obstetër. Pra, nevojitej sërish ndihma e Ministrisë së Shëndetësisë, pasi shërbimi i spitalit duhet të ofrohet në çdo ditë e orar të mundshëm. Gjithashtu, ai shtoi se duhet të investohet për sallën e lindjeve sepse kushtet janë të papërshtatshme për lindjen e një foshnje.
Por gazetarja e emisionit “Stop” nuk e la me aq… Ajo u rikthye sërish ditën e sotme për të marrë më në fund një lajm të mirë. Materniteti “Koço Gliozheni” ka marrë në patronazh maternitetin e Burrelit, duke bërë të mundur që dy mjekë të shkojnë dhe të ofrojnë shërbimin e tyre 24 orë në mënyrë vullnetare.
Ajo u shpreh: “Mesa duket apeli jonë këtë herë nuk ka rënë në vesh të shurdhët! Kjo falë solidaritetit të mjekëve të maternitetit “Koço Gliozheni”.
Bllokimi i llogarisë dhe odiseja e qytetares për ta zhbllokuar.
Manushaqe Toromani tregoi në emisionin “Stop” odisenë e saj me llogarinë e bllokuar bankare, për shkak të një detyrimi tatimor të vitit 2012, me vlerë 7400 Lekë.
“Jam Manushaqe Toromani, banuese e qytetit të Tiranës. Problemi im është me Drejtorinë e Taksave të Bashkisë. Paga ime kalon në “Tirana Bank”. Futa kartën për të marrë lekë, nuk më dilte llogaria. Shkoj në bankë, më thonë që të ka ardhur një bllokim nga bashkia për disa detyrime të vitit 2012.”
Denoncuesja rrëfeu të gjithë kalvarin e gjatë të endjeve të saj në Bankë, Gjykatën Administrative, Drejtorinë e Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore, Gjykatën e Shkallës së Parë, Bashkinë e Tiranës dhe në Gjykatën e Apelit, vetëm e vetëm për të vërtetuar që nuk kishte më detyrime. Por ende nuk i zhbllokohej llogaria e saj bankare, duke “e mbajtur peng” nëpër institucione.
“Ah, këtu fillonte më e vështira… Jo vetëm që nuk u zhbllokua, por u lodha aq shumë sa u detyrova t’ju drejtohem juve!”, u shpreh e shqetësuar Manushaqja.
Ajo sëbashku me kamerën e fshehtë të emisionit “Stop” iu drejtuan Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë e Tiranës, për të pyetur se përse po sorollatej ende për një detyrim tatimor të vitit 2012.
Qytetarja – Thuhet që janë thjeshtuar gjërat. Çfarë është kjo lodhje kështu?
Punonjësja – Çfarë ke dashur të të hiqen … nuk është lodhje. Tani, që të të hiqet shuma e kamatë vonesave, duhet ky vërtetim (nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë) ose do të presësh sa të hiqen nga Komisioni.
Punonjësja – Mos e merrni kaq të thjeshtë! Nuk e lë dot njeri, si t’ia heqi! Ajo (specialistja e çështjes), duhet ta ketë në dosje, t’i kopsitë të gjitha gjërat.
Qytetarja – Ju më thatë: hajdeni merrni urdhrin (e zhbllokimit), në atë moment doli një urdhër tjetër (vërtetimi nga tjetër gjykatë).
Punonjësja – Po pra!
Punonjësi – Kjo me një fjalë, Gjykata e re … mu këtu është hyrja, edhe këtu vete e merr (vërtetimin).
Qytetarja – Ç’është gjithë kjo lodhje more, ç ‘është gjithë kjo…? Po ju më çuat tek Gjykata e Apelit, shko tek Gjykata e Apelit…
Punonjësi – Jo, do të vesh ta marrësh atje! (Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë)
Denoncuesja shkoi në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë për të marrë një vërtetim nëse është dënuar nga kjo gjykatë me vendim të formës së prerë për fatura tatimore apo evazion fiskal. Një vërtetim tjetër u mor për t’i provuar DPTTV-së se Manushaqe Toromani nuk ka çështje penale.
Qytetarja – Mora vërtetimin (nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë), se më lodhët. Më shkatërruat. Tani, më duhet urdhri i zhbllokimit për në bankë.
Punonjësja – S’do e marrësh dot sot. Sot do të bëhet si ankesë, nesër do të marrësh urdhrin e zhbllokimit.
Dy ditë më pas denoncuesja mundi të marrë urdhrin për zbllokimin e llogarisë bankare dhe për këtë falenderoi emisionin “STOP”.