Vlorë, i shembi bashkia murin, Stop zgjidh problemin e Bashkim Elbasanit.
Në fund të tetorit “Stop” transmetoi rastin e Bashkim Elbasanit nga Vlora,të cilit bashkia i ikishte prishur murin rrethues të shtëpisë në mënyrë të padrejtë.Ai jeton në Francë dhe për këtë cënim ishte njoftuar nga fqinjët.Gazetarja e “Stop” u interesua në bashkinë e Vlorës dhe INUK dhe mori premtimin e zgjidhjes së problemit dhe rikthimit të murit të zotit Elbasani.Pas këmbënguljes së gazetares, cështja u zgjidh dhe Bashkim Elbasani shprehet mirënjohës për rikthimin e pronës së tij në gjendjen e mëparshme.
Kursimet e jetës i humbin në bankë, denoncimi i qytetarit nga Durrësi.
Shyqyri Ismaili nga Durrësi tregon në “Stop” se në vitin 2000 futi pak në bankë kursimet e një jete për ditë të vështira. Për shkak të shumë fatkeqësive që i ranë mbi shpinë, librezën e kursimit e gjeti vetëm në vitin 2017. Në këtë kohë banka ishte privatizuar dhe kishte marrë emrin BKT. Në degën tek sheshi “Avni Rustemi” i thanë se nuk është në sistem dhe dokumentet digjen çdo 10 vjet. Në zonën “Qemal Stafa” i thanë se i djegin dokumentet çdo 7 vjet, ndërsa në Durrës i thanë se i djegin çdo 4 vjet. Sot në pleqëri, Shyqyri Ismaili endet për 6 milionë e gjysmë lekë të depozituara plot 18 vjet më parë.
“Kisha disa lekë. I kisha kursyer të gjithë jetën dhe në vitin 2000 isha me shërbim me makinë aty se kam punuar të gjithë jetën shofer dhe i futa në bankë tek porti, tek BKT që është sot. Atëherë ishte shtetërore banka. Pastaj në vitin 2001 u privatizua banka, unë kisha një fatkeqësi në familje se më vdiq çuni aksidentalisht edhe e kam gjet librezën në Shkurt të vitit 2017. Mora librezën dhe shkoj tek banka, këtu tek BKT tek ‘Avni Rustemi’ dhe i them kështu, kështu. Më thotë se nuk je në sistem. Ku i ke derdhur lekët? Në Durrës, tek BKT në Durrës, ku është sot BKT në Durrës. Si përfundim më tha dokumentet ne i djegim çdo 10 vjet. Shkova tek banka prapë tek stadiumi ‘Qemal Stafa’, më thotë ajo ne i djegim çdo 7 vjet. Shkoj në Durrës dhe më thanë ne i djegim dokumentet çdo 4 vjet dhe më akuzoi me pa të drejtë se i ke marrë lekët me dublikatë. Kur unë skam tërheq fare. Libreza është e pastër. Kështu që unë s’kisha pse të shkoja bankë në bankë të kërkoja borxh. Unë kërkoj lekët e mija. Shuma është 6 milionë e 500 mijë lekë. Unë i futa edhe për tu shtuar edhe për tu ruajt. Unë jam i gatshëm, nëse kam firmosur diku, të më vendosin hekurat dhe të më çojnë brenda. Ta provojmë burgun në pleqëri tani që jam sëmur. Nuk kam derë ku të shkoj, e kujt t’i qahem”, tha Shyqyri Ismaili.
Kamera e fshehtë:
Denoncuesi: Kam këtë librezën, që kam derdh lekët! Tashi, ku kanë shku këto parët e mia, nuk e marr vesh. Ene ku të shkoj ma unë, ku të mytem tashi, se kjo është, se unë kam kursyer një jetë. Ene i rujta për ditë pleqnie.
Punonjësja BKT: Në këtë llogari?
Denoncuesi: Po!
Punonjësja BKT: Shyqyri Ismaili!
Denoncuesi: Po, po!
Denoncuesi: Se unë në fund të fundit kam librezën, du paret!
Punonjësja BKT: Nuk më del fare emri yt mu këtu.
Denoncuesi: Në sistem?
Punonjësja BKT: Po!
Banka në 2001-shin ka kaluar private dhe nëqoftëse, kjo është e mbartur në 2001-shin, ekziston. Nëqoftëse nuk është e mbartur…
Denoncuesi: Ku ta gjej? Këtë du!
Punonjësja BKT: Nuk kemi, sesi ta gjejmë. Mund të kesh ardhur në 2001-shin, mund t’i kesh tërhequr.
Denoncuesi: Po mirë, ku është firma ime?
Punonjësja BKT: Nuk e kam pra! Nga 2000 deri ne 2001 nuk janë. Nga 2001 e këtej, janë.
Denoncuesi: Po ku t’i gjej?
Punonjësja BKT: Nuk ke, ku t’i gjesh!
Denoncuesi: Shif arshivën?
Punonjësja BKT: Tashi, ti ke ardhur, ke pyetu këtu, ke ardhur disa herë. E njejta përgjigje është, që këtu nuk ka më. Kështuqë, ke ne…
Denoncuesi: Po ku të shkoj?
Punonjësja BKT: Nuk e di! Këtë mbaje te dora! S’kemi, ca të themi, këtu nuk ke gjëndje.
Punonjësja BKT: Mbase i ke tërhequr?
Denoncuesi: Mossss reee…, më jep një firmë timen!
Punonjësja BKT: Nuk mbahen aq gjatë letrat e bankës. Ne i djegim një herë në 4 vjet me urdhër të Bankës së Shqipërisë.
I pyetur për këtë eksperti Besart Kadia, shpjegon, se nuk ka argument ligjor për humbjen e parave. Kjo nuk justifikohet as me falimentimin e bankës.
Besart Kadia: Sistemi bankar është ndër industritë më të rregulluara në Republikën e Shqipërisë, çka do të thotë se nga ana ligjore është i mbikëqyrur nga Banka Qendrore dhe nga rregullatorët edhe të BE. Është një industri e kopsitur pikërisht për të mos pasur këto lloj problemesh…Ky është një rast i cili është i padëgjuar më përpara, pasi bankat e nivelit të dytë, e vetmja gjë që mund të bëjnë është që kur një klient nuk përdor për një periudhë të caktuar depozitën e tij, ose llogaritë rrjedhëse të tij, ajo çaktivizohet dhe gjithësesei kur klienti rikthehet tek banka dhe thotë që dua ta aktivizoj sërish llogarinë time bankare, banka i ka të gjitha të dhënat dhe e aktivizon në çast dhe asnjëherë nuk humbasin paratë. Pra, çdo lloj marrëveshje apo depozitimi në vitin 2000, apo 2005 nuk ka rëndësi koha, paratë mbeten të përjetshme të klientit dhe nuk ka asnjë argument ligjor ku mund të thuhet që janë prishur arkivat apo nuk po gjejmë dot të dhënat.
Kadia thotë se këto të dhëna janë aq të sigurta, sa që edhe kur falimenton vetë banka, sërish deri në 2.5 milionë lekë të reja, janë të siguruara nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave.
Urë Vajgurore, lopët me brucelozë, hidhen 540 litra qumësht në ditë.
“Stop” është ndalur në Urën Vajgurore, pasi administratori i një ferme lopësh na ka informuar se 9 lopë i janë prekur nga bruceloza. Behar Fesko tregon se para dy muajsh, në 20 Shtator, kanë bërë analizat përfaqësues të shërbimit veterinar dhe brenda muajit duhet të eliminoheshin lopët e prekura. Por kjo nuk ka ndodhur, ndaj Behari detyrohet të hedhë 540 litra në ditë, pasi askush nuk e do qumështin e lopëve të tij.
Broceloza është një sëmundje që prek lopën, e për pasojë edhe qumështi nga lopët e prekura është i infektuar. Lopët që janë të kontaminuara me brucelozë, asgjësohen, theren, groposen. Por kjo nuk po ndodh me lopët e Feskos.
“Kërkova ndihmë me arsyen se në momentin e analizave të qumështit, rreth 2,5-3 muaj më parë morën analizat e qumështit dhe dyshuan për brucelozë. Pas 20 ditëve erdhën dhe morën analizat e gjakut dhe deklarojnë se 9 prej lopëve ishin me brucelozë. U bë karantina dhe ndarja e lopëve, kishin për të eliminuar brenda një muaji nga shteti lopët dhe pastaj të fillonte puna normalisht. Asnjë gjë. Qumështi po hidhet poshtë dhe lopët nuk janë eliminuar. Me të mëdha dhe të vogla kam në total 70 lopë. Nuk marr qumësht as nga lopët e prekura nga bruceloza dhe as nga të shëndoshat, sepse të tëra fabrikat nuk e marrin qumështin se thonë është me brucelozë. Nga momenti që shërbimi veterinar, që autoritetet bënë analizat e qumështit dhe të gjakut, i gjithë qumështi hidhet këtu tek vendi i plehut. 540 litra qumësht në ditë. Se me të sëmura me të pa sëmura, nuk të beson më njeri. Ai thotë qumështi është me brucelozë dhe nuk ka fabrikë ta marrë”, tha Behar Fesko.
Gazetarja e emisionit iu drejtua Shërbimit Veterinar dhe drejtorit Ilirjan Rama, i cili tha, se ka patur një problem, pasi drejtoritë e bujqësisë janë shkrirë dhe është bërë drejtoria e re.
Ilirjan Rama: Ne nuk flemë gjumë. Unë dy ditë kam në këtë detyrë. Nga informacionet që kam, në atë fermë janë marrë të gjitha masat sipas ligjit. Në kuadrin e Planit Kombëtar të Monitorimit të Brucelozës, atij i kanë dalë 9 krerë me brucelozë. Gjithçka është konfirmuar nëpërmjet analizave të gjakut. Tani po ndjekim të gjitha procedurat që na lejon ligji, duke filluar nga ngritja e komisionit, lidhja e kontratës me një thertore për therjen e kafshëve.
Gazetarja: Për çfarë procedurash flitni ju kur bëhet fjalë për rrezik, si për familjarët ashtu edhe për…
Ilirjan Rama: Ne i kemi mbyllur, kafshët janë të bllokuara, janë izoluar. Dhe një gjë të keni parasysh, qumështi i kafshëve të prekura nga bruceloza mund të përpunohet në mënyrë termike pa problem për njerëzit.
Gazetarja: Janë 540 litra qumësht që hidhen poshtë.
Ilirjan Rama: I kemi ndarë lopët e tjera, ai mund ta shesë, i kemi dhënë dokumente kush janë të pastra dhe ta çojë në baxho. Baxho është privat dhe ne nuk e detyrojmë dot.
Gazetarja: Sipas procedurës kur duhet të bëhet asgjësimi? Sepse bëhet fjalë për 20 shtatorin që është konstatuar dicka e tillë.
Ilirjan Rama: Ka pasur një problem, sepse drejtoritë e bujqësive janë shkrirë dhe është bërë një drejtori rajonale në Elbasan. Dhe një VKM e ministrit nuk na lejonte derisa u bë drejtoria e re që të kryenim therjen. Jemi në fazën që për punë ditësh do të ndodhë ky proces. Normalisht duhej të ishin 30 mbas procesit të daljes së analizave. Do t’i asgjësojmë sa më shpejt sipas ligjit.
Një institucion tjetër po aq i rëndësishëm që duhej të ishte marrë me fermën e zotit Fesko me ato 9 lopë me Brucelozë është edhe AKU në zonën e Beratit. Por i Pyetur nga Stop, drejtori i AKU Berat, Agim Ismaili, refuzoi të jepte informacion.
Agim Ismaili: Për sa i përket informacionit duhet ta merrni në drejtori të përgjithshme.
Gazetarja: Çfarë ju penalizon mosdhënia e informacionit?
Agim Ismaili: Nuk ka asnjë lloj penalizmi, por duhet të marr një autorizim nga Drejtoria e Përgjithshme. Informacionet jepen nga Drejtoria e Përgjithshme, ne nuk kemi zyrë informacioni.
Gazetarja: Ti je drejtor në këtë rast, nuk po kërkoj të zyrës së shtypit. Duhet të kuptosh pozicionin që ke. Je përgjegjës i zyrës së AKU. Je personi kryesor që duhet të jesh në dijeni. Më mirë më thuaj s’kemi informacion dhe më përcill në këtë mënyrë sesa të më thuash shko në Tiranë. Tirana s’ka se si të ketë dijeni nëse në radhë të parë nuk jeni ju si zyrë rajonale.
Agim Ismaili: Ne çdo informacion ia përcjellim brenda ditës Drejtorisë së Përgjithshme të AKU në Tiranë. Edhe për rastin në fjalë të gjitha informacionet janë në Drejtori të Përgjithshme.
Drejtori i AKU për qarkun e Beratit e kishte shumë vështirë të na jepte informacion për shkak se ruante sekretin hetimor në bazë të investigimit që kishte bërë në stallën e lopëve të zotit Fesku. Dhe këtë informacion ai e kishte përcjellë në zyrat qendrore të AKU në Tiranë. Për këtë arsye gazetarja e Stop iu drejtua këtij autoriteti, për të marrë informacion se cilat janë masat e marra. Por Informacioni në këtë institucion është zero.