Emisioni Stop në Tv Klan ka trajtuar sonte rastin e qytetit Sazan Duro nga Gjirokastra, i cili tregon se ka shitur një banesë në këtë qytet por për shkak të burokracive po has në pengesa për kalimin e pronësisë te Hipoteka.

Ai thotë se sipas rregullave kanë shkuar te noteri, ku kanë bërë dhe kontratën për shitblerje.

Pas një periudhe 10-ditore u kthye një faturë nga Hipoteka, që duhet të paguhej aplikimi nga blerësja dhe tatimi nga shitësi. Blerësja, në emër të noterit, bllokoi lekët në bankë, deri në momentin që ajo do të merrte certifikatën.

Sazani shprehet se as ai nuk ka marrë lekët, as blerësja nuk ka marrë certifikatën e pronës prej 4 muajsh tashmë.

“Në datën 14 Maj 2024 kam shitur një banesë në qytetin e Gjirokastrës me të gjitha dokumentet sipas rregullave. Vajtëm te noteri, bëmë kontratën, pasi bëmë kontratën për hipotekë për shit-blerjen, pas një periudhe 10-ditore u kthye një faturë nga Hipoteka që duhet të paguanim aplikimin për certifikatë nga blerësja dhe tatimin nga unë shitësi. Blerësja, në emër të noterit bllokoi lekët në bankë deri në momentin që ajo të marrë certifikatën. Akoma as unë nuk kam marrë lekët, as blerësja nuk ka marrë certifikatën e pronës. U bënë 4 muaj. Nuk ka arsye, thonë që gjithmonë mungesë procedure”, thotë qytetari Sazan Duro.

Emisioni Stop komunikoi me drejtorin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Gjirokastër, i cili shpjegon se kjo procedurë zgjat 15-20 ditë. Por, meqënëse ka pasur mbingarkesë sistemi, mund të ketë vonesa.

Drejtori i ASHK Gjirokastër: Normalisht, ato zgjasin diku 15-20 ditë. Por, meqënëse ka pasur mbingarkesë sistemi, mund të ketë raste, që vonojnë edhe pak më shumë. Gjithsesi, unë do ta kontrolloj në sistem. Dosjet, që prej korrikut 2023, trajtohen në rang republike, nuk trajtohen më pranë zyrave tona. Më dërgoni fletën e aplikimit të qytetarit!

Pasi gazetari i Stop i vendosi në dispozicion fletën e aplikimit të qytetarit, çështja u zgjidh brenda 3 ditësh.

/tvklan.al