Ajo rrëfeu për disa orë se si u takua me ish-Presidentin amerikan dhe pagesën që mori dhe u shpreh se Trump duhet të shkojë në burg
Gjyqi i parë penal ndaj ish-Presidentit amerikan Donald Trump mori një tjetër kthesë, teksa ylli i filmave për të rritur Stormy Daniels dëshmoi në gjyq.
Për disa orë Daniels ofroi detaje në lidhje me takimin e saj me Trump dhe marrëveshjen e parave që ajo arriti për të heshtur për të përpara zgjedhjeve të 2016-ës, kur ai fitoi Shtëpinë e Bardhë. Ajo u tha anëtarëve të jurisë se jeta e saj u kthye në kaos pasi marrëveshja u bë publike në vitin 2018. E veshur me veshje dhe syze të zeza, Daniels dëshmoi se ajo punonte në klube striptizmi dhe më pas në një kompani të filmave pornografikë.
Duke rrëfyer takimin e saj të parë me Trump në një turne golfi të famshëm në Tahoe në vitin 2006, Daniels përshkroi një takim shumë të shkurtër. Pas kësaj, ajo dëshmoi se e takoi atë përsëri në një suitë hoteli ku ata biseduan rreth industrisë së filmave për të rritur dhe aftësitë e saj si producente tyre. Ajo tha se Trump pati vlerësuar zgjuarsinë e saj për të patur sukses në këtë fushë.
Më vonë, kujton ajo, një nga ndihmësit e Trump, i tha asaj se Trump donte ta takonte për darkë dhe i mori numrin e telefonit. Daniels u shpreh se fillimisht refuzoi ftesën, por në fund u bind të shkonte në atë darkë. Sipas saj takimi seksual që ajo pretendon ndodhi pas një darke që Daniels dhe ish-Presidenti amerikan patën në hotelin e këtij të fundit.
“Motivimi im nuk ishin paratë, por për të nxjerrë në pah historinë”, tha Daniels. Avokatja e Trumpit , Susan Necheles, u shpreh se nuk ka fakte që e dëshmojnë takimin seksual që të dy mund të kenë patur në hotel, por Daniles u shpreh se asnjë nga historitë nuk është e sajuar.
Daniels u shpreh gjithashtu se e urren Trumpin dhe shpreson që ai të shkojë në burg nëse shpallet fajtor. Trump, teksa ndodhej në gjyq nuk reagoi ndërsa dëgjonte detaje nga dëshmia e saj. Ai është deklaruar i pafajshëm për akuzat për falsifikimin e të dhënave të biznesit ndërsa avokati i tij i atëhershëm Michael Cohen dhe drejtuesi i tabloidit, David Pecker, komplotuan për të varrosur histori që mund të pengonin ofertën e tij republikane presidenciale. Cohen dyshohet se i ka transferuar Daniels-it një pagesë prej 130 mijë Dollarësh, për ta penguar atë histori të dalë publikisht.
Ulja e saj në bankën e dëshmitarëve është një moment i rëndësishëm ligjor dhe politik. Dëshmia në një sallë gjyqi nga një aktore e filmave për të rritur për një lidhje intime që ajo ka patur me një ish-President amerikan, i shtohet mbledhjes së të dhënave për një gjyq që mbahet për herë të parë në SHBA për një president amerikan. Dëshmia e Daniels erdhi një ditë pasi gjykatësi Juan Merchan paralajmëroi se Trump mund të përballet me burg nëse vazhdon të shkelë urdhrin për gënjeshtra.
Ndërkaq nga ana tjetër gjyqi i ish-Presidentit Donald Trump në Florida për mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara pas largimit nga detyra është shtyrë për një kohë të pacaktuar, duke ulur ndjeshëm shanset fillimit të njërit nga gjyqet për akuza penale para zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit. Trump ishte planifikuar të dilte në gjyq më 20 Maj për akuzat mbi mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara, të ngritura nga Prokurori i Posaçëm Jack Smith, por prokuroria dhe mbrojtja e kishin pranuar se gjyqi do të duhej të shtyhej.
Klan News