Përmes programit të qeverisë për strehimin social, 25 familje në Mat morën sot apartamentet e reja.

Çelësat u dhanë nga ministri i Ekonomisë Blendi Gonxhja, i cili në fjalën e tij bëri të ditur se ky është një shembull i mirë i bashkëpunimit mes bashkisë dhe qeverisë.

Ministri Gonxhja theksoi se janë 15 banesa 2+1 dhe 10 banesa 1+1, të cilat janë përfituar nga qytetarët përmes kredive të buta.

Sipas ministrit, për të përfituar këto banesa sociale bëhet një pagesë paradhënie në vlerë të vogël dhe më pas shuma përfundimtare shlyhet për 15 vjet përmes kësteve mujore që përllogariten në rreth 140 mijë Lekë të vjetra.

“Për t’u thënë që njerëzit ta dëgjojnë dhe ta kuptojnë mirë që me një paradhënie shumë modeste dhe pastaj me këste që duhet të jenë rreth 13 mijë Lekë të reja, 14 mijë Lekë të reja, 14,500 Lekë të reja në muaj për 15 vjet, ju do të bëheni zot të apartamentit tuaj. E mira nuk ka fund, ne do donim që të kishim apartamente që të ishin natyrisht sa më moderne, optimale, por shikojmë që është një ndërtim i mirë dhe bëjmë ç’është e mundur që të përmirësohemi dhe në entin tonë të banesave me projektet që po bëjmë. Në këshillin e drejtimit të këtij enti merret vendimi për pallatin e dytë, z.kryetar i Bashkisë, përsëri për ju, për kërkesën e bërë për financimin e ndërtimit të një tjetër ndërtese që do të strehojë të tjerë qytetarë. Këtu kemi 15 banesa 2+1 dhe 10 banesa 1+1”.

Ministri Gonxhja sqaroi se rastin e ndërtimin e të këtij pallati, bashkia ka ofruar truallin ndërsa investimi është bërë nga Enti i Banesave përmes Ministrisë së Ekonomisë.

“Këtu kemi truallin e ofruar nga bashkia dhe ndërtimin e investimin e ofruar nga Enti i Banesave. Është çështje vullneti dhe ju keni një kryetar bashkie, keni një bashki funksionale dhe një trup bashkiake që në të gjitha projektet dhe programet është agresive në kuptimin e mirë të fjalës, është gjithmonë në renditjen kryesore të aplikimeve, në dokumentacion të plotësuar mirë dhe në të gjitha kërkesat që na vijnë qoftë në ekonomi, qoftë në punësim”.

/tvklan.al