Të paktën 24 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur nga një sulm ajror i Tel Avivit i cili shënjestroi një xhami në Rripin e Gazës. Dëshmitarët thanë se numri i viktimave mund të rritet pasi xhamia po përdorej për të strehuar personat e zhvendosur, ndërsa ushtria izraelite tha se ajo po përdorej si një qendër komanduese e Hamasit.
Ushtria izraelite po ashtu njoftoi për një ofensivë të re tokësore dhe ajrore në Xhabalia, në veri të Gazës, ku gjenden kampe të mbipopulluara të refugjatëve, të cilat janë krijuar që nga lufta e vitit 1948. Izraeli urdhëroi gjithashtu evakuime të reja në Gazën veriore, e cila u zbraz në javët e para të luftës kur Izraeli urdhëroi të gjithë banorët të iknin në jug të vendit.
“Ne jemi në një fazë të re të luftës. Këto zona konsiderohen zona të rrezikshme luftarake”– tha ushtria në fletëpalosjet e hedhura në këtë zonë.
Teksa lufta po vazhdon në Gazë, gjatë natës Izraeli ka kryer sulme ajrore që kanë shkaktuar shpërthime të mëdha në Bejrut të Libanit. Forcat Ajrore izraelite njoftuan se në sulmet e fundit kishin shënjestër një sërë deposh armësh dhe objektesh infrastrukturore që i përkasin organizatës Hezbollah në Bejrut.
Të paktën 1.400 libanezë, përfshirë civilë, dhe luftëtarë të Hezbollahut janë vrarë dhe 1.2 milion persona janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre në dy javët e fundit. Izraeli thotë se synon të dëbojë Hezbollahun nga kufiri me Izraelin, në mënyrë që dhjetëra mijëra shtetas izraelitë të mund të kthehen në shtëpitë e tyre.
Klan News