Pavarësisht garancive që mori kryeministri i Libanit nga SHBA-ja se Tel Avivi do të reduktonte sulmet ky i fundit po bën të kundërtën.
Sulmet ajore izraelite në qytetin e Nabatieh i morën jetën të paktën gjashtë personave dhe 43 të tjerë u plagosën. Në mesin e viktimave është edhe kryetari i bashkisë, i cili po merrte pjesë në një takim së bashku me katër punonjës të bashkisë.
Numri i viktimave mund të rritet, sepse nën rrënoja po kërkohen ende për persona të tjerë. Kryetari i bashkisë, Ahmad Kahil, dhe stafi i bashkisë kishin qëndruar në Nabatieh për të ndihmuar njerëzit që kanë zgjedhur të mos ikin nga shtëpitë e tyre.
Ushtria izraelite konfirmoi sulmet në Nabatieh dhe u shpreh se në shënjestër ishin dhjetëra objektiva terroristë të Hezbollahut. Më herët ushtria izraelite kreu një sulm në një rezervë armësh nëntokësore të grupit Hezbollahu në periferinë jugore të Bejrutit, Dahiyeh.
Kryeministri i Libanit, Najib Mikati dënoi bombardimet izraelite në Nabatieh duke i cilësuar ato një masakër.
Kryeminisitri Benjamin Netanyahu hodhi poshtë idenë e një armëpushimi në Liban. Më herët ai i tha presidentit francez Emmanuel Macron se ishte kundër një armëpushimi të njëanshëm që nuk ndryshon situatën e sigurisë në Liban dhe që do ta kthente vendin në gjendjen e mëparshme.
Klan News