Izraeli mbetet në gatishmëri të lartë edhe 24 orë pas sulmit masiv me dronë dhe raketa që Irani ndërmori ndaj tij.
Kabineti i luftës i mbledhur të dielën pasdite nuk mori një vendim për kohën e kundërpërgjigjes, por zëdhënësi i ushtrisë, kundëradmirali Daniel Hagari tha se vendi ishte ende në gatishmëri të lartë dhe se në orët e fundit ishin miratuar planet operative si për aksionin sulmues ashtu edhe atë mbrojtës.
Më herët, ministri Benny Gantz teksa po hynte në mbledhjen e kabinetit të luftës bëri të qartë se Irani do ta paguante shtrenjtë, por në kohën e duhur, sulmin që ndërmori ndaj Izraelit.
Ndërkohë që ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant, pasi zhvilloi një vizitë në një bateri të sistemit të mbrojtjes ajrore që mori pjesë në ndalimin e sulmit, tha se Izraeli ka një mundësi për të krijuar një aleancë strategjike kundër Iranit, i cili sipas tij po kërcënon të vendosë eksplozivë bërthamorë në raketa.
Nga ana tjetër, Irani paralajmëroi Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara të dielën për një përgjigje shumë më të madhe se ajo e natës së shkuar nëse do të ketë ndonjë hakmarrje për sulmin e tij.
Ndërsa ministri i Jashtëm iranian Amir Abdollahian tha se Teherani e kishte informuar SHBA-në se sulmi i tij ndaj Izraelit do të ishte “i kufizuar” dhe për vetëmbrojtje. Gjithashtu ai bëri të ditur se edhe fqinjët rajonalë ishin informuar për sulmet e planifikuara 72 orë përpara.
Kundër një përgjigje hakmarrëse të Izraelit ndaj Iranit u shprehën edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat përmes zëdhënësit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby thanë se presidenti Biden i kishte bërë të ditur kryeministrit Benjamin Netanyahu se nuk dëshiron një konflikt me Iranin.
Madje mediat amerikane, duke iu referuar një zyrtari të lartë, bën të ditur se Shtetet e Bashkuara nuk do të marrin pjesë në asnjë kundërofensivë izraelite kundër Iranit.
Irani ndërmori sulmin e parë të drejtpërdrejtë ndaj Izraelit pas bombardimit të konsullatës iraniane në Siri më 1 Prill që vrau komandantët kryesorë të Gardës Revolucionare.
Megjithatë, sulmi nga mbi 300 dronë raketa dhe kryesisht të lëshuara nga brenda Iranit, shkaktoi vetëm dëme modeste në Izrael, pasi shumica u rrëzuan me ndihmën e SHBA-së, Britanisë dhe Jordanisë.
Pavarësisht se rezultatet e këtij sulmi ishin modeste, televizioni shtetëror shfaqi tubime të vogla festive.
Tv Klan