Presidenti Donald Trump deklaroi një plan të ri, sipas të cilit SHBA do të marrë kontrollin për rindërtimin e Rripit të Gazës, të shkatërruar nga lufta pasi palestinezët të zhvendosen në vendet fqinje.

Trump zbuloi planin e tij por pa dhënë shumë detaje specifike gjatë një konference për shtyp me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, i cili vizitoi Shtëpinë e Bardhë, si i pari lider botëror që takon Trump pas rikthimit më 20 Janar.

“SHBA do të marrë kontrollin në Rripin e Gazës. Ne do ta zotërojmë atë dhe do të jemi përgjegjës për çmontimin e të gjitha bombave të rrezikshme të pashpërthyera dhe armëve të tjera në këtë vend, do ta rrafshojmë vendin dhe do të rindërtojmë ndërtesat e shkatërruara”, tha Donald Trump.

Nga ana e tij, Netanjahu tha se ideja e Trump është një ide që “ia vlen t’i kushtohet vëmendje”. Ai tha se kjo ide, është diçka që mund të ndryshojë historinë”.

Trump foli gjithashtu për zhvendosje të përhershme të më shumë se 2 milionë palestinezëve që jetojnë në Gaza, duke shpjeguar se ajo ishte bërë e pabanueshme pas gati 16 muajsh luftë midis Izraelit dhe Hamasit dhe për ta kthyer në Rivierën e Lindjes së Mesme.

Zyrtari i lartë i Hamasit, Sami Abu Zuhri dënoi thirrjet e Presidentit Trumpit për largimin e banorëve të Gazës, duke e konsideruar “dëbim nga toka e tyre”.

Ndër të tjera, në konferencën dypalëshe, Trump paralajmëroi se do të jetë edhe me i ashpër nëse një marrëveshje pengjesh midis Hamasit dhe Izraelit dështon.

“Ne po punojmë shumë për të marrë të gjithë pengjet. Deri më tani ka ecur mjaft shpejt, pothuajse sipas planit. Pastaj do të shkojmë në fazën e dytë. Paralajmëroj se do të tregohem më i ashpër nëse diçka shkon keq”.

Izraeli po përgatitet të dërgojë një delegacion të nivelit të lartë në kryeqytetin e Katarit, Doha, për të diskutuar vazhdimin e zbatimit të marrëveshjes së armëpushimit të Gazës.

Gjithashtu, Presidenti amerikan tha se do të donte të bënte një marrëveshje me Iranin për të përmirësuar marrëdhëniet dypalëshe.

“Unë ia them këtë Iranit, i cili po dëgjon me shumë vëmendje. Do të doja të isha në gjendje të bëja një marrëveshje të madhe. Shpresoj se do të jemi në gjendje të bëjmë diçka në mënyrë që të mos përfundoj në një situatë shumë katastrofike. Nga ana tjetër ata nuk mund të kenë një armë bërthamore”.

Përpara takimit të tij me Netanyahun, Trump nënshkroi memorandumin presidencial që rivendos politikën e ashpër të Uashingtonit ndaj Iranit që u praktikua gjatë mandatit të tij të parë.

Memorandumi i Trump, ndër të tjera, urdhëron Sekretarin e Thesarit të SHBA-së të vendosë “presion maksimal ekonomik” mbi Iranin, duke përfshirë sanksionet dhe mekanizmat e zbatimit ndaj atyre që shkelin sanksionet ekzistuese.

Klan News