Kërkoi ndihmë për të hyrë në shtëpi, por përfundoi në pranga. Është kjo historia e një të riu shqiptar, i cili është arrestuar nga policia në Itali pasi u kap me lëndë narkotike. Por kapja e tij ka ndodhur në mënyrë të rastësishme.
Bëhet fjalë për një 21-vjeçar, identiteti i të cilit mbetet ende i panjohur.
I riu kishte ngelur jashtë banesës dhe kishte kërkuar ndihmën e një fqinji. Ky i fundit kishte lajmëruar policinë për t’ia hapur derën. Agjentët bënë të mundur hapjen e derës, por menjëherë panë diçka të çuditshme në tavolinën e të riut.
Bëhej fjalë për pluhur të bardhë. Kaq mjaftoi që ata të nisnin një kontroll në banesë. Përfundimi nuk ishte i mirë për shqiptarin pasi iu gjetën 5.5 kg marijuanë dhe 50 gramë kokainë. Ndër të tjera ai kishte edhe 2 pistoleta gjysmë-automatike.
Menjëherë pas kësaj i riu u arrestua dhe u dërgua në qeli./tvklan.al