Për trajnerin Sylvinho, çdo ndeshje e grupit B1 të Ligës së Kombeve është vendimtare. Trajneri i Shqipërisë parashikon se përballja në “Air Albania” kundër Gjeorgjisë do të jetë e vështirë, pasi rivali i radhës ka lojtarë mjaft cilësorë e është rritur në vitet e fundit.
Por braziliani thekson në konferencën për shtyp përpara sfidës se edhe kuqezinjtë janë përmirësuar.
Tekniku bën një analizë të ekipit gjeorgjian në prag të sfidës.
Sylvinho, trajneri i Shqipërisë: E kam thënë që ky është grup shumë i ekuilibruar. Mund të ndodhë gjithçka. Ukraina është e fortë, Çekia po ashtu, Gjeorgjia mjaft e organizuar, fizike me mjaft cilësi teknike. Ata punojmë bukur në prapavijë, ekip solid, e tekniku i tyre ka bërë një punë të mirë. Duhet të ecim me 100km/ nëse duam të bëjmë një paraqitje të mirë.
Sylvinho e bën të qartë se ai do të vendosë për formacionin titullar vetëm pak përpara nisjes së takimit të dytë të Ligës së Kombeve.
Por ai kujton se grupi i lojtarëve mund të luajnë në tri skema; 4-3-3, 4-2-3-1 dhe 4-4-2.
Për trajnerin 50 vjeçar, Gjeorgjia nuk është vetëm Kvara, pasi ka mjaft cilësi, me trajnerin që ka bërë një punë mjaft të mirë.
Sylvinho, trajneri i Kombëtares: Shiko, sa i përket Kvaras, mund t’ju them se bëhet fjalë për një lojtar mjaft të mirë, të fortë fizikisht e teknikisht. Gjithçka bën, është e një niveli të lartë. Por përveç atij, Gjeorgjia ka 4-5 lojtarë mjaft të zotë. I ndjek prej një muaji, lojtarë mjaft të zotë në të gjithë repartet. Sa i përket Kvaras, lojtar me klas, është kënaqësi të luash kundër tij, njësoj sikur kemi luajtur ndaj Polonisë kundër Levandovskit apo Zielinski. Por edhe ne kemi lojtarë të rinj që në një të ardhme mund të arrijnë në të tillë nivel. Me Gjeorgjinë janë 90 minuta, do futemi në fushë e do luajmë!
Sylvinhou ndal edhe te marrëdhëniet me lojtarë të caktuar. Sipas tij komunikimi me Manajn, Laçin dhe Ismjalin është shumë i mirë dhe nuk duhet ngatërruar puna e trajnerit me atë personale.
Për 50-vjeçarin, sfida e radhës ndaj gjeorgjianëve krahasuar me atë të dy viteve më parë të përfunduar më barazim nuk ka lidhje, pasi futbolli ndryshon me një ritëm mjaft të shpejtë.
Sylvinho, trajneri i Kombëtares: Kompeticion shumë i vështirë. Në tre muaj luajmë 6 ndeshje. Grupi shumë i fortë, të ardhmen nuk e di kështu që duhet të bësh maksimumin në çdo takim.
Edhe mesfushori Kristjan Asllani ka dhënë opinionin e tij për takimin. Ndërsa e bën të qartë se marrëdhënia me Rei Manajn është më e mirë se kurrë, lojtari kërkon që të harrohet suksesi ndaj Ukrainës, ndërsa thekson se kuqezinjtë luajnë për fitore.
Kristjan Asllani, mesfushor: Gjeorgjia është një ekip shumë i madh që po rritet e kemi parë edhe në Europian edhe tani edhe jemi stërvitur mirë. Ndeshjen me Ukrainën duhet ta harrojmë sepse ka ikur dhe duhet të mendojmë këtë ekip që besoj se mund të bëjmë pikë dhe shpresojmë se mund të bëjmë pikë.
Sfida Shqipëri-Gjeorgji ka ngjallur interesimin e tifozëve shqiptarë, të cilët do të mbushin stadiumin “Air Albania”. Takimi do të transmetohet ekskluzivisht në televizionin Klan./tvklan.al