Dita e nesërme shënon kremtimin e Krishtlindjeve, një festë mjaft e rëndësishme për të krishterët në mbarë botën. Zëdhënësi i Kishës Katolike në Shqipëri Don Mark Pashkja shpjegoi në një intervistë për Klan News se çfarë përfaqëson kjo festë.
“Krishtlindja për të krishterët është ardhja e Zotit në Tokë, zbritja e Zotit në mes të njerëzve. Njëherë e përgjithmonë merr fund ajo distanca dhe humnera e jashtëzakonshme që ekziston mes njeriut edhe Zotit. Zoti nuk është më larg njeriut, nuk ka një hapësirë ndarëse, bëhet njeri. Nga ana logjike duket si e pamundur, por duke qenë se për Zotin gjithçka është e mundur, edhe e paimagjinueshmja bëhet e mundur. Nga kjo arsye buron motivi i gëzimit e festimit për të gjithë të krishterët dhe jo vetëm. Ka aftësinë të përfshirjes të të gjithë besimtarëve.”
Sipas tij, Krishtlindja ka 3 momente kryesore.
“Kulmi dhe pika më e lartë është pritja e natës së sotme, pjesëmarrja në meshën e darkës. Mund të kremtohet në orare të ndryshme dhe direkt pas meshës, gjiothë familja mblidhet pë rnjë darkë të shpejtë dhe për të shkëmbyer urimet. Festa fillon me meshën! Dita e nesërme është më tepër e karakterit familjar e social. Festa e Krishtlindjes është tipike e familjes. Dreka familjare që paraprihet ndonjëherë edhe me meshë të mëngjesit. Këshillohet të festohet rreth familjes së ngushtë.”
Po gatimet tipike të festës?
“Për zonat tradicionalisht katolike, natën e Krishtlindjes konsumohet peshku. Për faktin se mishi vite më përpara ishte një privilegj i të pasurve, por edhe për faktin sepse duke qenë paksa në traditën lindore, Krishtlindja është pritur edhe me agjërim. Për drekën, vera e kuqe dhe diçka tradicionale. Kjo varion me zona, familje, por sigurisht edhe prej mundësive.”
Don Mark Pashkja thekson se pavarësisht kalimit të viteve e ndryshimit të shumë gjërave “Pashkët dhe Krishtlindja kanë aftësinë t’i afrojnë njerëzit.”
“Të praktikojmë dashurinë për secilin, pa dallim!”, ishte mesazhi i tij në prag të Krishtlindjeve.
/tvklan.al