Me fillimin e muajve të pranverës, operatorët turistikë në Vlorë raportojnë një rritje prej 15% të fluksit të turistëve krahasuar me vitin e kaluar, duke shënuar një fillim të mbarë për sezonin e verës.

Ndryshe nga vitet e tjera, rezervimet për muajt Korrik dhe Gusht kanë nisur më herët, duke reflektuar një tendencë pozitive nga turistët që dominojnë ata nga Europa.

Kjo rritje e interesit për të kaluar pushimet në këtë qytet bregdetar tregon se Vlora është një nga preferencat kryesore për ata që kërkojnë diell, plazh dhe kulturë.

“Rezervimet në periudhën Mars-Prill, sidomos nga 15 Prilli deri në fund të Majit ka një rritje me 15% duke e krahasuar me një vit më parë. Ndoshta ka ndikuar shërbimi që i është dhënë vjet turistëve në qytetin e Vlorës. Maksimumi që kanë dhënë strukturat akomoduese, por edhe risitë e reja që janë në qytetin tonë të Vlorës duke filluar nga guida turistike”, shprehet menaxheri Emanuel Hazizaj.

Për shkak të fluksit të turistëve vitin e kaluar, operatorët turistikë janë detyruar të zgjerojnë kapacitetet e tyre akomoduese, madje edhe duke i trefishuar këto kapacitete.

“Duke qenë që një vit më parë ishin të prenotuara në kapacitetet tona prej 100%, por ajo çfarë mund të vëmë re në këtë vit është që kemi një interesim më të hershëm, gjë që ka bërë që strukturat tona të frekuentohen më tepër se 50% me pararezervime, plus dhe dhoma që janë të shitura për agjensitë”, tha Hazizaj.

Me përmirësimin e infrastrukturës dhe një gamë të gjerë shërbimesh, qyteti i Vlorës është gati të presë turistët që dëshirojnë të shijojnë diellin në plazhet e bukura të Jonit.

Klan News