Mes brohoritjesh dhe duartrokitjesh kryeministri i Shqipërisë u prit nga emigrantët e diasporës në Itali në pallatin e sportit Maria Piantanida. Kryeministri Edi Rama iu drejtuar më shumë se 5 mijë shqiptarëve me fjalë të ndjera duke kujtuar kohët e vështira të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, kohën e komunizmit dhe anijet e tejmbushura me shqiptarë që u dyndeshin brigjeve të Italisë për të shpëtuar nga kthetrat e diktaturës.
Sakrificat e shqiptarëve Edi Rama i paralelizon me arritjet e tyre të vyera në arenën ndërkombëtare.
“Dashuria platonike për Italinë u formësua në një forcë të brendshme hakmarrjeje nga zilja e alarmit të ‘e stato di albanese’ e cila sa here e dëgjonin shtynte më shumë shqiptarët t’i provonin Italisë ‘non stato di albanese’, që shkaktoi atë lëvizjen e madhe terreni rrëshqitës të leckamanëve të lagur kokë e këmbë të parë në rastin më të mirë në sytë e mëshirës kristjane në terrenin pjellor të një komuniteti që jo vetëm e fitoi luftën me paragjykime por nxori dhe ngjiti yjet e vet në majat dikur më të ëndërrta të Italisë.
E pra ju shqiptarë të Italisë provuat më të pabesueshmen kur derdhët lot malli çurkë për Shqipërinë të cilën e kishit lënë me betimin ekstrem për të mos ia parë më sytë dhe lotët të nxehta për Italinë që e kishit gjetur me besimin ekstrem se nuk do t’ua lagte kurrë fytyrën me ujin e kripur të syve. Por tamam aty në atë shteg fare të ngushtë me atdheun e mallkuar që e latë pas kurrizit, duke rendur si ai fati i Shqipërisë të ngritur nga varri dhe atdheut të dytë këtu që u përplas mbi ju si i marri, duke iu shkelur dhe duke iu përmbysur bashkë me thesin e ëndrrave tuaja, ju gjetët atdheun më të sigurt. Vetveten!
Ju shqiptarët e Italisë dhe ata të Greqi më së pari jeni sot një nga shëmbëlltyrat më domethënëse të një profecie të përbashkët , themelimit të një qytetërimi të ri europian, më i lirë, më i drejtë dhe më gjithëpërfshirës se sa paraardhësit e tij grekë dhe romakë,” tha kryeministri Edi Rama./tvklan.al