Kur pjesa më e madhe e qytetarëve të Los Anxhelosit janë duke fjetur, Melquiades Flores e nis punën që në orën 1 të mëngjesit, duke mbikëqyrur shkarkimin e perimeve.
“Siç mund ta shikoni dhe vetë, të gjitha këto domate janë të madhësive të ndryshme, ngjyrave të ndryshme, por të gjitha janë të importuara nga Meksika”.
Flores është i shqetësuar pas deklaratës së Presidentit të zgjedhur Donald Trump se ai do të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv në ditën e tij të parë në detyrë në Janar për të vendosur një tarifë 25% për të gjitha produktet që vijnë në Shtetet e Bashkuara nga Kanadaja dhe Meksika.
Në të gjitha kutitë me domate dhe speca djegës që mbërrijnë në magazinën e tij në qendër të qytetit, të destinuara për shtëpitë, hotelet dhe kuzhinat e restoranteve në të gjithë qytetin mbajnë etiketën prodhuar në Meksikë.
“Ne kemi domate të kuqe, kemi ato me një ngjyrë më të zbehtë dhe kemi madhësi të ndryshme dhe të gjitha do të përfundojnë në një pjatë, në tryezën tuaj në shtëpi, në një hotel, në një kuzhinë, në një restorant të mirë, domatet tona do të përfundojnë kudo sepse të gjithë i përdorin ato”.
Se kush do të mbajë barren e tarifave të propozuara nga Presidenti Donald Trump, Flores e thotë pa hezitim.
“Çdo tarifë është një taksë e shtuar që na prek të gjithëve, duke përfshirë ata që blejnë një paund, dy paund ose një mijë apo 10,000 paund. Ajo do të ndikojë gjithmonë tek ne sepse çfarëdo që të na ngarkojnë, ne do t’ia kalojmë konsumatorit”.
Për biznesmenin amerikan, Donald Trump u nxitua kur tha se do të vendoste tarifa të reja për produktet që vijnë nga Kanadaja ose Meksika.
“Në këtë rast, presidenti duhet së pari të kishte analizuar se sa do të ndikonte kjo tek të gjithë përpara se të fliste”.
Pavarësisht se çfarë ndodh në Janar kur presidenti i zgjedhur Donald Trump të marrë zyrtarisht detyrën, Flores thotë se nuk ka zgjidhje tjetër veçse të vazhdojë të importojë perimet e tij nga Meksika.
Shkak për këtë është se vendi ku ai jeton nuk i plotëson dot nevojat për perime pasi sezoni i rritjes i perimeve në Kaliforni zgjat vetëm katër muaj, nga Gushti deri në Nëntor.
Pjesën tjetër të vitit, ai i merr prodhimet nga Sinaloa, Baja Kalifornia dhe Sonora, Meksikë.
“Shumica e prodhimeve në Dimër vijnë nga Meksika. Sezoni është shumë i shkurtër këtu. Ne kemi spec djegës në Gusht, Shtator, Tetor dhe Nëntor. Vetëm katër muaj. Pjesën tjetër të vitit, gjithçka na vjen nga Meksika”.
Zyrtarët nga Meksika dhe Kanadaja dhe grupet kryesore të industrisë kanë paralajmëruar se qëllimi i Trump për të vendosur tarifa të larta mbi mallrat e importuara do të dëmtonte ekonomitë e të gjithëve që janë të përfshirë, do të shkaktonte rritje të inflacionit dhe do të dëmtonte tregjet e punës.
“Ne do të vazhdojmë importin, por njerëzit do të duhet të paguajnë një çmim më të lartë. Pse? Sepse prodhuesit në Meksikë do të vazhdojnë të prodhojnë dhe në një mënyrë apo tjetër, tregu kërkon që ne të vazhdojmë. Por patjetër do të ndikojë tek ne sepse është një investim më i madh, do të ketë kosto më të larta për ne dhe për konsumatorët”.
Presidenti Donald Trump është zotuar për rritje të tarifave për mallrat që vijnë nga Meksika, Kanadaja dhe Kina duke filluar nga dita e parë e administratës së tij, një politikë që sipas analistëve do të rrisë ndjeshëm kostot për bizneset dhe konsumatorët amerikanë.
Masa, ka bërë me dije Trump, do të jetë një hakmarrje për emigracionin e paligjshëm dhe krimin dhe drogën që vijnë përtej kufirit.
Trump deklaroi se Kina do të përballet me tarifa më të larta për mallrat e saj me 10% mbi çdo tarifë ekzistuese derisa të parandalojë rrjedhjen e drogerave të paligjshme në Shtetet e Bashkuara.
“Kam pasur shumë biseda me Kinën rreth sasive masive të drogës, në veçanti Fentanyl, që dërgohen në Shtetet e Bashkuara , por pa dobi”, ka thënë më herët Trump në një postim në rrjetin e tij social Truth Social.
Presidenti i zgjedhur ka bërë të ditur se ndonëse zyrtarët kinezë i premtuan atij se vendi do të ndëshkonte rëndë trafikantët që transportojnë drogë në Shtetet e Bashkuara, diçka e tillë nuk u realizua kurrë.
Komentet e Trump nuk mbetën pa përgjigje. Presidentja e Meksikës Claudia Sheinbaum paralajmëroi presidentin e zgjedhur se as kërcënimet dhe as tarifat nuk do të zgjidhin çështjen e emigracionit apo të trafikut të drogës.
Edhe pse investitorët besonin se tarifat në fund të fundit mund të forconin Dollarin, tregjet financiare të Amerikës morën gjithashtu një goditje.
Tarifat e jashtëzakonshme do të rrisnin në mënyrë dramatike kostot për amerikanët për mallrat e përditshme.
Ky ndryshim mund të pengojë rritjen ekonomike të vendit, shkruan CNN, veçanërisht nëse konsumatorët e lodhur nga inflacioni shpenzojnë më pak përballë kostove më të larta.
Scott Bessent, i zgjedhuri i Trump për Sekretar të Thesarit, ka thënë se tarifat nuk do të rrisin inflacionin nëse ato zbatohen në mënyrë korrekte.
Edhe pse Bessent, nëse konfirmohet nga Senati, do të jetë pjesërisht përgjegjës për zbatimin e tarifave, në koordinim me Sekretarin e Tregtisë dhe Përfaqësuesin e Tregtisë së SHBA-së, Trump si president do të ketë fuqinë e plotë për të vendosur tarifa vetëm me një të rënë të lapsit.
Këtë tashmë e ka bërë edhe në të kaluarën.
Kur ishte për herë të fundit në Shtëpinë e Bardhë, ai vendosi tarifa të mëdha për mallrat, kryesisht nga Kina.
Problemi me tarifat është se ato shpesh nxisin një luftë tregtare dhe pikërisht është ajo që ndodhi gjatë mandatit të parë të Trump.
Kjo zbuti efektin e tarifave për prodhimin vendas, sepse mallrat e prodhuesve u bënë më pak tërheqëse për blerësit jashtë shtetit.
Trump ka premtuar tarifa dukshëm më të mëdha gjatë mandatit të tij të dytë.
Megjithëse ai vazhdon të diskutojë shumë numra të ndryshëm, ai ka propozuar një tarifë prej 60% për të gjitha mallrat kineze, si dhe një tarifë të përgjithshme prej 10% ose 20% për të gjitha importet nga vendet e tjera jashtë SHBA-së.
Klan News